Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit, vendosi të mbështesë futbollin shqiptar në një periudhë të pazakontë, kur vendi ynë është paralizuar për shkak të virusit Covid-19.

Ky vendim iu përcoll profesionistëve të futbollit nga Presidenti Armand Duka, i cili theksoi se kjo masë përfshin periudhën 15 mars-15 prill, dhe në rast se ndalimi i të gjitha aktiviteteve do vijojë, paketa do të shtrihet edhe për periudhën 16 Prill-15 Maj. 

Por cilat janë konkretisht kategoritë që përfitojnë?

Futbollistët e Kategorisë Superiore dhe stafet, pra çdo punonjës i siguruar i tyre.

Të gjithë ata punonjës të futbollit që nuk kanë të ardhura të tjetra marrin pagesën e plotë 30 mijë lekësh të rinj.

Anëtarë të stafeve të klubeve të cilët janë të angazhuar part-time, përfitojnë gjysmën e pagesës.

Të gjithë trajnerët e moshave, që nuk janë në një punë tjetër marrin pagesën e plotë.

Trajnerët e moshave që janë të punësuar në punë tjetër përfitojnë gjysmën e pagesës.

Të gjithë arbitrat që nuk janë në një punë tjetër do të marrin pagesën e plotë.

Klubet që varen nga bashkitë nuk përfitojnë nga kjo pagesë.