Cristian Panuçi nuk arriti të linte gjurmë te Kombëtarja shqiptare, teksa dështoi për të vazhduar ecurinë pozitive të De Biazit. Ish-trajneri i Kombëtares, u largua pas humbjes me Turqinë në kualifikueset e Europianit 2020.

Ai është rikthyer të flasë për këtë aventurë në krye të përfaqësueses kuqezi, për “Ilposticio.it”.

“Kur mbërrita në Shqipëri dhe mora drejtimin, skuadra ishte e katërta në grupin kualifikues për Kupën e Botës 2018, në fund përfunduam në vendin e tretë. Shqipëria është një vend i komplikuar.

Nëse pas vitit 2016 kishte një pankinë të vështirë në Europë, ajo ishte e Shqipërisë. Vinte nga një Europian që luajti për herë të parë dhe të pranoja ta trajnoja ishte një gjysmë vetvrasje, sepse ishte vështirë të arrija ta kualifikoja sërish.

Por, kam qenë i lumtur, ishte një eksperiencë fantastike, kisha një marrëdhenie shumë të mirë me djemtë. Presidenti i FSHF-së, ka bërë deklarata të shëmtuara ndaj meje, por kur isha aty ai nuk ndërhynte në asgjë. Më la të punoja”, shprehet Panuçi.