Avokati Luixhi Kiapero dhe kolegia e tij Maria Turko janë paraqitur mëngjesin e djeshëm në Prokurorinë e Peruxhas ku janë takuar me prokurorët e çështjes së provimit të italishtes së Luis Suarezit. Jo provim, por farsë, kështu e kanë cilësuar prokurorët testin që duhej t’i mundësonte sulmuesit marrjen e nënshtetësisë italiane.

Sa u përket avokatëve në fjalë, ata janë thirrur për t’u pyetur si persona që mund të kenë njohuri të fakteve. Zonja Turko është juristja që ka ndjekur praktikën në fjalë me drejtorin e Universitetit të Peruxhas, i cili është në listën e të hetuarve.

Në anën tjetër, Kiapero që është avokati i Juves, ka qenë i pranishëm në momentin që Turko ka folur në telefon me Olivierin.Pas daljes nga takimi me prokurorin, Kiapero ka shpjeguar edhe arsyen e thirrjes së tij dhe koleges për të dëshmuar.

“Nënvizuam transparencën e punës sonë profesionale duke ndihmuar në ndërtimin e çështjes sipas fakteve në dijeninë tonë. Treguam se edhe këtë herë, siç ndodh shpesh, e vërteta është shtrembëruar ose prerë me qëllimin për të ofruar një tregim që i intereson lexuesit më shumë, por që nuk përkon me të vërtetën.Jemi shumë mirënjohës që u thirrëm për të sqaruar pozicionin tonë në lidhje me faktet”, shpjegoi Kiapero, i cili më pas u pyet nëse Juventusi ishte në dijeni të fakteve. “Sigurisht që jo”, deklaroi avokati përpara se të largohej.