Teuta triumfoi në atë që u konsiderua si finale mbijetese përballë Vllaznisë, por në një kampionat kaq agresiv në zonën e ftohtë, asgjë nuk ka përfunduar për durrsakët, përkundrazi ngarkesa psikologjike dhe emocionale sa vjen e shtohet për “Djemtë e Detit”.

Skuadra e Gentian Begejës po kalon momentin më të mirë të sezonit, 3 fitore dhe 2 barazime në 5 sfidat e  fundit dhe 3 ndeshje pa pësuar gol, meritë e padiskutueshme e trajnerit, që mbi të gjitha ka instaluar një sistem difensiv mjaft efikas.

Gjithsesi “provat e zjarrit” për Teutën janë të përmbledhura në këto 2 javë. Fillimisht skuadra durrsake do të ketë një transfertë mjaft të vështirë kundër Flamurtarit.

Është e vërtetë që vlonjatët janë në krizë të thellë dhe vijnë të plagosur pas eliminimit nga Kupa dhe dorëheqjes së trajnerit Duro, por është gjithashtu e vërtetë që Teuta nuk ka fituar asjëherë ndaj kuqezinjve në këtë edicion.Ndërkohë që më pas do të ketë një tjetër finale mbijetese.

Në “Niko Dovana”, “Djemtë e Detit” do të presin Kamzën, një sfidë që ka gjasa të jetë shumë më përcaktuese se ajo ndaj Vllaznisë.

Nëse të besuarit e Begejës shfaqen me të njëjtën vendosmëri që kanë paraqitur në 5 takimet e fundit, atëherë mbijetesa e Teutës në Kategorinë Superiore do të kthehej nga një mision i vështirë në një objektiv të realizuar.