France Football informoi se Real Madridi kishte një marrëveshje me Sadio Mane verën e kaluar, por bisedimet nuk u përmbyllën me sukses për shkak të largimit të Zinedine Zidane në mënyrë krejt të papritur nga drejtimi i “Los Blancos”.

Tashmë me kthimin e Zizou, është rihapur pista që të çon te sulmuesi i Liverpoolit, i cili ishte vendimntar në kualifikimin e “The Reds” në fazën çerekfinale të Championsit. Sulmuesi afrikan dhe Kylian Mbappe janë dy prioritetet në merkaton e Realit, me presidentin Florentino Perezin që është gati “të hapë thesin” për t’ia plotësuar dëshirën trajnerit francez.

Mane është 26-vjeç, mund të luajë në të dy krahët e sulmit dhe është një futbollist i paparashikueshëm. Ka instiktin e golit dhe këtë e tregojnë shifrat. Ka shënuar 20 herë në këtë sezon dhe është golashënuesi i dytë më i mirë i Premier League-s me 17 finalizime, një më pak se Kun Aguero.

Problem për Realin mbetet çmimi i lartë. Liverpooli arkëtoi plot 150 milionë euro nga shitja e Coutinhos te Barcelona dhe këtë standard do të kërkojë të ruajë edhe për Mane.

Në shtëpinë e Realit duhet të bëjnë një sforco ekonomike dhe të gjejnë modalitetin për të siguruar shërbimet e Mane, që pëlqehet shumë nga Zidane. Sulmuesi nga Senegali luan një futboll elektrizues dhe të drejtpërdrejtë. Një version vertikal, që do të kënaqte edhe dëshirat e trajnerin francez.