Merr zgjidhje dilema për të ardhmen e sulmuesit veteran të Kategorisë Superiore, Sebino Plaku. Futbollisti do të luajë për Teutën këtë sezon. 35- vjeçari u prezantua dje në ambientet e klubit durrsak nga shefi i klubit, Enid Furxhiu.

Transferimi i Plakut nga Kastrioti te Teuta, ishte paralajmëruar prej disa ditësh. Ish-sulmuesi i Tiranës, Dinamos, Partizanit, Flamurtarit e shumë ekipeve të tjera zëvendëson Rubin Hebajn.

Plaku u shpreh tepër i lumtur për këtë transferim dhe beson se Teuta e ka stofin për të dalë kampion. Gjithashtu, ai theksoi se e kishte pritur shumë këtë transferim dhe është i lumtur.

Sebino, cila ishte arsyeja e largimit nga Kastrioti?

Mund të them që të dyja klubet gjetën gjuhën e përbashkët. Unë dhe Kastrioti ishim dy palë që mendonim ndryshe dhe kur dy palë mendojnë ndryshe, edhe rrugët duhet të jetë të ndryshme. Klubi bëri pjesën e vet që unë të vija tek ekipi ku doja. I uroj suksese Kastriotit me shpirt, sepse kam shokë aty dhe dua që ata të ecin dhe të arrijnë objektivin që kanë, mbijetesën.

Jeni bërë pjesë e Teutës. Si ndiheni?

Jam shumë entuziast, pasi siç thashë, kjo ka qenë një dëshirë imja prej kohësh, që të jem pjesë e Teutës. Nuk ka dashur Zoti në atë kohë, por edhe këtë verë isha shumë pranë Teutës. Insistimi im ishte që të vija këtu, falë edhe presidentit Hasanbelliu, kjo u realizua.

Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?

Synimet këtu janë konkrete, nuk jam unë ai që do të vendos synimet. Unë i kam gjetur ato dhe do t’i ndihmoj që t’i arrijmë objektivat që ka klubi. Dua të jap kontributin tim, pasi për këtë punë jam këtu.

Duke qenë se jemi te golat, sa mendoni se do të shënoni?

Kjo është një pyetje që bëhet shpesh, por duke qenë që unë vij te ky klub në janar, mendoj se mënyra më e mirë e një lojtari që vjen në merkaton e dimrit, është të përshtatet me grupin aktual, pasi janë ata që e kanë çuar ekipin deri në ketë pikë. Unë do t’i ndjek ata dhe s’do bëj asgjë ndryshe, veçse do t’u jap një dorë më tepër. Dhe e dyta, të arrijmë objektivin që ka vendosur klubi dhe shpresoj që golat e mi ta përligjin ketë situatë. Vetëm me gola dhe impenjimin tim maksimal mund të arrijmë aty ku duhet.

Mendoni se Teuta e ka stofin për të dalë kampione?

T’ju them të drejtën, po. Besoj shumë, edhe pse është krijuar distanca me Vllazninë. Janë 23 javë dhe do të jenë përballje direkte, pasi ekipi që kryeson do të duhet t’i menaxhojë situatat jo të lehta që të sjell kjo fazë e dytë. Teuta duhet të ndjekë hapin e kryesuesit deri në fund dhe mendoj që e ka realisht stofin të synojë titullin.

Çfarë ofertash të tjera keni pasur gjatë kësaj periudhe?

Mendoj se nuk është korrekte që unë të flas për ofertat që kam pasur gjatë kësaj periudhe, por ofertën më konkrete që kam pasur ka qenë nga Kosova. Por, siç thashë, dëshira ime ishte të qëndroja afër familjes, por edhe të realizohej kjo transfertë e cila për mua ka qenë e shumëpritur. Nuk hezitova në momentin e parë që m’u dha mundësia të vija te Teuta.