Në një skuadër me pesha të rënda si Leo Mesi, Luis Suarez apo Xherard Pike puna e një trajneri për të marrë vendimet sipas dëshirës së tij është shumë e vështirë. E di mjaft mirë këtë gjë Luis Enrike, i cili vendosi të “qeveriste” klubin me dorë të hekurt. Diçka e tillë për pak sa nuk i kushtoi shkarkimin nga detyra e trajnerit vetëm pak ditë pasi mori drejtimin e skuadrës. Sigurisht që e di edhe Ernesto Valverde, edhe pse ai nuk është shpërthyes si Enrike dhe që ka dashur ta menaxhojë me kujdes këtë situatë.

Të kesh një raport të mirë me lojtarët dhe të menaxhosh situatat bashkë me ta, është një strategji e hershme e Ernesto Valverdes. Bënte të njëjtën gjë te Bilbao dhe vendosi ta bënte edhe te Barcelona. Dëshiron të ketë raport të mirë me të gjithë lojtarët dhe respekton hierarkinë brenda dhomave të zhveshjes. Por disa lojtarë mendojnë se të jesh i mirë me të gjithë, do të thotë të të ikë situata nga kontrolli.

Lajmi ekskluziv i gazetës “MARCA” flet për mungesë disipline në skuadër, për mungesën e dorës së hekurt dhe për menaxhimin e disa krizave të brendshme. Dëshira e “Milingonës” për të pasur raport të mirë me të gjithë i është kthyer kundër tij. Disa lojtarë duan që trajneri të ketë dorë të fortë, të marrë vendime të rëndësishme dhe të menaxhojë më mirë ekipin. Kjo problematikë në fakt do të vazhdojë të jetë e njëjta, pavarësisht trajnerit që do të vijë. Sepse peshat e rënda të Barcelonës do të vazhdojnë të jenë në skuadër dhe nuk janë të disiplinuar si pjesa tjetër.

Në shumë raste, Valverde u ka lënë dorë të lirë futbollistëve që të menaxhojnë veten dhe kur gabojnë të vetëkorrigjohen. Por shumë lojtarë e kanë marrë këtë gjë si një pikë të dobët të trajnerit dhe është pikërisht rasti kur trajneri të jep dorën dhe i marrin krahun. Në këtë mënyrë, pozicioni i trajnerit të Barcelonës është dobësuar. Nëse rezultatet do të vazhdonin të ishin pozitive, të gjithë ishin gati të vazhdonin në këtë linjë dhe në këtë dinamikë. Futbollistëve me peshë u pëlqen diçka e tillë, por në klub mendojnë se ka ardhur koha për të bërë një ndryshim rrënjësor.

Është momenti që te Barcelona të ketë menaxhim me dorë të hekurt, të thithet ajër i ri dhe të ketë fytyra të reja. Dikujt nuk do t’i pëlqejë kjo gjë…