Në kulmin e kaosit që po mbretëron prej ditësh te skuadra e Napolit, mund të mbijë një trajner italo-shqiptar si njeriu që mund të shpëtojë sezonin. Xhani De Biazi po përflitet nga mediat e Apenineve si ai që mund të pasojë Karlo Ancelotin në pankinën e formacionit jugor, që po vuan përplasje serioze mes hierarkisë drejtuese në njërën anë, dhe futbollistëve e stafit teknik në anën tjetër.

Presidenti De Laurentis i zhgënjyer me skuadrën për rezultatet në fushë, por mbi të gjitha për bojkotin e bujshëm ndaj grumbullimit, po mendon gjobitjen me 5% të pagës vjetore për secilin lojtar, që nëse llogaritet në total shkon në një shifër të konsiderueshme. Qëndrimi i Karlo Ancelotit në krah të futbollistë ka zemëruar drejtuesit që tani mendojnë alternativën në pankinë sa më shpejt.

Xhani De Biazi shihet si një trajner i përkohshëm këtë sezon për të qëndruar brenda objektivave. Një emër që nuk kërkon miliona por një mënyrë për t'u rivendosur në diskutim, ish trajneri i kombëtares shqiptare ofron një profil të pranueshëm edhe për një ambient shpërthyes si Napoli. Kontrata për të është vetëm deri në qershor, dhe kontaktet kanë nisur dhe po intensifikohen.