E çuditshme por e vërtetë. Presidenti i skuadrës së Sionit, Kristian Konstantin, ka dhunuar gjatë takimit të mbrëmshëm të skuadrës së tij ndaj Luganos një nga gazetarët e pranishëm në fushë, në sytë e të gjithëve.

Konstantin, i acaruar me gazetarin Rolf Fringer për kritikat rreth menaxhimit të skuadrës së tij, ka bërë menjëherë “vetëgjyqësi” sapo e ka parë në cep të fushës duke u bërë gati për një lidhje direkte. Ai e ka goditur fillimisht me grusht gazetarin duke e hedhur në tokë dhe më pas me shkelma, në një akt të paprecedent në Zvicër, që kaloi në plan të dytë kthimin te fitorja të Sionit me Tramexanin në drejtim dhe me Lenjanin që gjeti rrjetën me një gol spektakolar.

Në Zvicër ka filluar gjyqi publik ndaj këtij personazhi shumë problematik i cili e tepron herë pas here me sjelljet e tij dhe tani duket se ka mbërritur kulmin. Por vetë Konstantin e ka cilësuar këtë dhunim të gazetarit si të justifikuar nga rrethanat.“Fringes më ka sulmuar dhe kritikuar gjatë javës. Tani e zgjidha me të. Si? E kapa dhe i dhashë një shkelm në prapanicë. Tani ndjehem mirë”, ishin fjalët e presidentit të Sionit pas ngjarjes.