Seanca e fundit stërvitore e bregdetarëve është shoqëruar vazhdimisht nga reshjet e shiut, por nuk ka ndaluar aspak lojtarët dhe stafin për të punuar sipas programit. Teuta mbylli përgatitjet për ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti, me Lushnjën në Kupën e Shqipërisë në takimin e parë (të vajtjes).

Tekniku korçar ka kërkuar vazhdimisht në seancën stërvitore të ruhet ritmi dhe nuk lejon aspak të tijtë që të nënvlerësojnë këtë sfidë, edhe pse është raund që do të zgjidhet me dy takime. Për stafin dhe trajnerin, llogaritë nuk bëhen vetëm me ndeshjen e Kupës, por edhe te ndeshja e fundjavës në kampionat përballë Flamurtarit. Skuadra është e plotë dhe nuk ka mungesa. Dëmtimet në miqësoren e fundit përballë Skënderbeut, si Avdyli dhe Sidibe, janë lënë pas me lojtarët që janë në gjendjen e tyre më të mirë. Po ashtu dhe Hakaj është totalisht i gatshëm duke lënë pas dëmtimin në kofshën e majtë.

Vazhdon të punojë i diferencuar ganezi Amadu Latif. Lojtari ka humbur shumë nga përgatitja dhe faza me shokët e skuadrës dhe tani po punon i diferencuar me stafin teknik, nën drejtimin e përgatitësit atletik, Iris Selimi. Lojtari kërkon dhe vetë të gjejë sa më shpejt formën e duhur për t’u vendosur në gatishmëri dhe dispozicionin e teknikut Bledi Shkëmbi. Pozicionin e sulmit në ndeshjen e radhës pritet ta mbajë Progni, i cili në këtë fazë përgatitore ka shkëlqyer me formën e tij dhe është lojtari i momentit te bregdetarët.