Deklarata e Kylian Mbappe në momentin e marrjes së çmimit si lojtari më i mirë i sezonit në Ligue 1, ka trembur jo pak drejtuesit e PSG të cilët kanë dalë me një komunikatë zyrtare ku kanë përgënjeshtruar zërat për një largim të mundshëm të yllit të ri francez nga Parc des Princes.

Për Mbappe interesohet Reali i Madridit prandaj frika e një largimi të mundshëm ekziston ende te tifozët e Paris Saint Germain, sidomos pas fjalëve të 20-vjeçarit i cili u shpreh se sezonin e ardhshëm duhet të marrë më shumë përgjegjësi, te Psg ose diku tjetër.

Gjithsesi sipas kampionëve të Francës Mbappe është i lidhur me një kontratë afagjatë dhe do të vazhdojë aventurën e tij në Parc des Princes. "Mbappe është i lidhur me ne edhe për të paktën 4 vite të tjera. Është e sigurt se do të jetë këtu në sezonin e ardhshëm. PSG dhe Mbappe kanë synimin e përbashkët për të shkruar historinë e futbollit europian", shkruhet në deklaratën e Parisit.

Deklaratat e lojtarit mund të kenë qenë edhe si mesazh për drejtuesit e PSG, me Mbappen që kërkon të marrë më shumë përgjegjësi në skuadër dhe të jetë ai lideri i ekipit si në fushë ashtu edhe në çdo aspekt tjetër, teksa për momentin lojtari më i paguar është Neymar.