Barazimi në shtëpi kundër rivalëve modestë të Frajburgut e thelloi krizën e Bajernit të Mynihut, i dyti në Bundesligën gjermane me 4 pikë diferencë nga kryesuesja Borusia Dortmund. Ky barazim befasues e shtoi edhe më shumë presionin te Kovac, në sezonin e tij debutues te klubi bavarez.

E përditshmja gjermane “Kicker” shkruan se 4 lojtarë të skuadrës së parë: Mats Hummels, Arjen Robben, Franck Ribery dhe Thomas Muller janë të zhgënjyer me metodat e trajnerit kroat dhe kanë kërkuar shkarkimin e tij. Minutazhi i lojtarëve në fjalë këtë sezon është reduktuar nga Kovac, për shkak të rotacioneve të shpeshta.

Ajo që shqetëson më shumë tifozët dhe drejtuesit është mungesa e lojës dhe gabimet elementare në prapavijë. Shumëkush mendon se yjet e ekipit bavarez janë në perëndim, por ka të tjerë që mendojnë se trajneri kroat nuk është në lartësinë e kampionëve të Gjermanisë.

“4 fantastikët” janë pagëzuar lojtarët e revoltuar për drejtimin e Niko Kovac. Thomas Muller, Mats Hummels, Arjen Robben dhe Frank Ribery e kanë ngritur zërin në hierarkinë drejtuese, duke kërkuar ndryshime sa nuk është vonë.

Në fundjavë, në Bundesligën gjermane Bajern do të luajë ndaj Borusias dhe një humbje potenciale do të përkthehej në një dramë sportive me diferencën 7 pikë. Para sfidës me verdhezinjtë, bavarezët impenjohen në Champions, ndaj AEK-ut të Athinës.