Nuk ka pushim për klubet e Superiores. Të mërkurën luhen ndeshjet e kthimit për turin e parë të Kupës së Shqipërisë dhe trajnerët kanë nisur nga puna për të përgatitur skuadrat. Partizani dhe Tirana do t'i luajnë ndeshjet respektive një ditë më herët për shkak se të premten do të testojnë veten në derbi pas një mungese njëvjeçare.

Të martën Partizani luan në Pezë sfidën e kthimit kundër Tërbunit të Pukës, prej orës 15:30. Të kuqtë fituan në transfertë me rezultatin 1-0 dhe janë një hap më pranë kualifikimit. Në krahun tjetër Tirana shkatërroi 4-1 në Fushë-Krujë Ilirinë dhe në kthim trajneri Ze Maria pritet të hedhë në fushë lojtarët që kanë patur më pak minuta deri tani. Ky takim do të luhet në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, dhe do të nisë prej orës 15:30.

Përpara është derbi i kryeqytetit dhe e gjithë vëmendja e bardhebluve është përqendruar te takimi, pasi suksesi mungon prej katër vitesh. Tek Tirana, situata nuk është apsak e qetë, ndonëse në ndeshjet e fundit ata kanë regjistruar rezultate pozitive.

Ndërkohë çiftet e tjera të Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen ditën e mërkurë dhe do të luhen të gjitha në orën 15:30. Ky orar është zgjedhur që të evitohen dritat, pasi pjesa më e madhe e këtyre takimeve luhet në fusha sportive. Ekipet e Superiores si Skënderbeu, Laçi, Luftëtari, Teuta, Kukësi apo edhe Flamurtari janë me një këmbë në turin tjetër, pasi kanë fituar ndeshjet e vajtjes.