Roni Gashi është i bindur se Teuta do ta mundë Kastriotin. Mesfushori i Teutës, beson te suksesi i radhës dhe Europa. Ai thotë se krutanët janë kundërshtarë për t’u vlerësuar, por Teutës i bëjnë punë vetëm 3 pikët.

Dy fitore radhazi dhe një pikë larg vendit të dytë?

Dy rezultate pozitive, pas ndeshjeve të fundit me probleme dhe rezultateve jo të mira. Këto dy javë kemi bërë ndeshje të mira. Për ne është një fat që kundërshtarët tanë kanë lënë pikë. Ky kampionat ka shumë pak diferenca. Pavarësisht se mund të humbësh apo dhe të barazosh, përsëri e shikojmë që jemi aty me pikë. Deri në ndeshjen e fundit duhet të japim maksimumin dhe të arrijmë objektivat.

Ndeshja e radhës përballë Kastriotit. Si e shihini këtë përballje?

Kastrioti është një skuadër shumë e fortë dhe këtë e ka treguar edhe gjatë dy fazave të fundit. Ky kundërshtar ka mundur edhe ekipet e kreut, ndaj nuk shoh vend për nënvlerësim. Për ne mbetet një kundërshtar shumë i fortë.

A është i kalueshëm ky kundërshtar?

Besoj se po, nuk e di, do ta shohim kur të luajmë. Por mendoj se përderisa kemi arritur të bëjmë një sezon të mirë deri tani, atëherë nuk jemi inferiorë me askënd. Me përqendrim mund ta kalojmë edhe këtë sfidë.

Tek Teuta jeni përshtatur, si e shikon Gashi sezonin e parë në Durrës?

Arsyeja që kam ardhur te Teuta ka qenë pikërisht përmbushja e objektivave që kanë drejtuesit. Për fat të mirë, dëmtime nuk kam pasur. Tashmë ndihem më mirë në Durrës, sepse jam ambientuar me ekipin dhe shokët. Shpresoj dhe kam bindjen fundi i sezonit do të jetë i lumtur për të gjithë dhe të arrijmë objektivin Europë.

Si e shihni kampionatin shqiptar, konkurrencën që fal ky edicion?

Të them të drejtën, futbollin shqiptar e kam ndjekur dhe kur luaja në Kosovë dhe me bindje të plotë them, që pas çdo viti, ky kampionat pëson vetëm rritje. Konkurrenca e madhe normalisht ka ndikuar dhe është një kampionat me pak diferenca dhe kjo e bën më të veçantë. Ky edicion e tregoi që konkurrenca është shumë e fortë ku në vijën e parë për titullin kampion ishin në luftë 3-4 skuadra. Është rritur niveli i futbollistëve dhe i cilësisë së lojtarëve këtu.

Ku do ta shohim Gashin sezonin e ardhshëm?

Është ende herët. Jam i përqendruar te ndeshja e radhës me Kastriotin dhe synimet që ka skuadra. Të luaj në Europë, pastaj të shohim, por mendoj që Teuta është zgjedhja ime e parë. Ndihem mirë këtu. Jam i kënaqur nga ekipi, po paraqitem shumë mirë, me mobilizim dhe përqendrim në stërvitje e ndeshje.