Një fotografi e madhe e tij ka qenë e vendosur në afërsi të stadiumit të Skënderbeut. Deri para ca muajsh, Tefik Osmani ishte krenaria e korçarëve dhe ndoshta një përfaqësues i denjë i ambientit sportiv të krijuar në qytetin që “privatizoi” titullin kampion në dekadën e fundit. Por sot, disa syresh e shohin si kundërshtar të rrezikshëm, ndokujt, madje, i duket edhe antipatik.

“Është e vërtetë, ndonjëherë njerëzit i bezdis fakti që ua kthej reston aty për aty ose ndonjëherë nuk m’i kuptojnë as shakatë. Por kush më njeh, e di mirë se nuk i bëj kurrë keq njeriu dhe askujt nuk i kam ndonjë borxh”, thotë qendërmbrojtësi.

Sot mban shiritin e kapitenit te Teuta. Ka një vlerësim maksimal për Durrësin dhe nuk bie dakord kurrsesi me ish-sekretarin e FSHF-së, Prodanin, se stadiumi i këtij qyteti është “i vdekur”. Ka provuar të gjitha klubet e elitës së futbollit shqiptar, ka bërë ndoshta po aq miq sa edhe armiq, por ia ka dalë që të jetë protagonist gjithnjë.

“Nëse futbolli do luhej me fjalë, ti Osman, pa dyshim, do ia kalojë Lionel Mesit…”, i pati thënë Takaj vite më parë. Dikur ishte një batutë miqsh, po sot si është raporti? Sot pra, që Osmani nuk ia kursen kritikat publike? “Nuk u tregua korrekt me mua”, vazhdon të thotë korçari në një intervistë për Panorama Sport…

A është surprizë Teuta këtu ku është sot? Kaq shpejt, me gjithë këto ndryshime…?

Deri diku po, duhet të jem i sinqertë. Staf i ri dhe lojtarë të rinj. Futbolli do cilësi, do fat, por do edhe kohë… Dhe pikërisht kjo është surpriza, sepse jemi harmonizuar në një kohë të shkurtër. Nuk di nëse është meritë apo fat, por ne na pëlqen se si po ecim.

Cili është objektivi real i Teutës?

Duke parë mënyrën sesi po luajmë, potencialin që kemi, mendoj se objektivi real është Europa. Nuk do të kursehemi për më shumë se kaq, por ky është objektiv primar.

Meqë jemi tek Europa, a e ndihmon Teutën fakti që momentalisht 6 nga klubet e Superiores nuk shkojnë dot për shkak të dënimeve apo problemeve me financat?

Jo, nuk dua ta mendojmë shumë këtë gjë. Klubet kanë kohë deri në mars të zgjidhin problemet dhe ne nuk mund të ecim me idenë se çfarë bëjnë të tjerët. Duhet të bëjmë detyrën tonë. Është e dukshme që startin më të mirë, futbollin më argëtues dhe surprizën e sezonit e ka bërë Teuta, por kjo nuk na jep garanci se do jemi në Europë në fund të sezonit. Duhet të luftojmë.

Cila ka qenë ndeshja më e bukur që keni luajtur këtë sezon me Teutën?

Ajo me Partizanin, pa dyshim. Edhe për meritë të kundërshtarëve, por natyrisht edhe për meritën tonë. Nuk ka njeri ta mohojë këtë.

Ish-drejtori i të kuqve, Eduard Prodani, deklaroi se vetëm Partizani mund ta gjallërojë një stadium “të vdekur” si ai Teutës…

Nuk jam dakord me këtë. E kam thënë edhe më parë. Ai (Prodani) duhet ta dijë se në Durrës e duan shumë futbollin, por janë aktivë vetëm kur skuadra ka rezultate të mira. Nuk duhet të harrojë që pati shumë tifozë edhe në ndeshjen kundër Skënderbeut, por ka pasur tifozë në mënyrë të vazhdueshme edhe vitet e mëparshme kur luftonte për titull. Është e ekzagjeruar të thuash se stadiumi i Teutës është “i vdekur”.

Çfarë ju bën përshtypje këtë sezon?

Nuk ka asnjë skuadër që të bëjë diferencën. Ka skuadra të mira, ka shumë garë, por asnjë nuk bën diferencën. Do të jetë luftë e fortë deri në fund.

A ju vendos nën presion fakti që këtë sezon përmendeni gjithnjë ju, Hidi, Bicaj dhe Progni, kur vjen puna për të mbajtur peshën kryesore në skuadër?

Është normale kjo. Për fat të mirë, ne kemi eksperiencën e mjaftueshme për ta përballuar edhe një vëmendje të ekzagjeruar ndaj nesh. Fundja, një nga arsyet se përse jemi pjesë e këtij projekti, kjo është pra, që të marrim përgjegjësi pak më shumë seç duhet.

Shkëmbin e keni mik, e keni pasur shok skuadre dhe kapiten, ndërsa sot e keni trajner. Si është të punosh me të?

Me Shkëmbin punohet mirë, por unë e kam pak të vështirë tani.

Pse?

Sepse duke e ditur të gjithë raportin që kam me të, më duhet që të jem gjithnjë mirë në çdo aspekt. Kjo ndonjëherë nuk është aq e lehtë.

Në ç’kuptim?

Po ja, o vëlla, ne jemi edhe familjarë tani. Na duhet ndonjëherë edhe të mungojmë apo edhe të vonohemi… Unë nuk e bëj dot më këtë tani, sepse nuk dua që askush të mendojë se po përfitoj nga diçka. Shkëmbi është korrekt dhe i bën hyzmetin punës, por edhe unë i kam vënë objektiv vetes që të jem serioz me të.

Cila është sakrifica më e madhe që keni bërë gjatë kohës që punoni me Shkëmbin?

Ai kërkon vëmendje kur na flet dhe na jep porositë apo edhe kur bën analiza… Problemi është që unë e kam të vështirë të rri gjatë pa folur dhe ndonjëherë ai ma tërheq vëmendjen: “Hesht Osman!” I them edhe “më fal profesor”. Më duket e çuditshme, por duhet të jap shembullin e duhur për të gjithë. Nëse nuk merr respektin e merituar nga unë, atëherë çfarë shembulli do të jepja për të tjerët…? Nuk kam më moshë të bëj gabime me trajnerët.

Kur keni gabuar me trajnerët?

Kam gabuar me Hasan Likën kur ishim te Partizani. Deklarova publikisht që ai nuk di të bëjë punën e trajnerit. Ishte gafë e imja… Sot që e mendoj, akoma më vjen turp. Pastaj ka pasur edhe keqkuptime të tjera…

Kur?

Dy vite më parë, me Starovën… Lëshova një batutë që Starova e ka stilin “sigurohemi mbrapa, pastaj në sulm të dalë çfarë të dalë…”. Profesor Sula ma keqkuptoi edhe m’u përvesh edhe ai publikisht. Mendova që do e kish kuptuar se e kisha batutë, pasi kishim punuar bashkë edhe te Teuta, por jo. E mora para pak ditësh në telefon dhe i kërkova ndjesë sërish, por ai është pak natyrë e vështirë. Kam pasur përplasje edhe me Ilir Dajën kur isha tek Elbasani, por u pajtuam te Skënderbeu.

Ju shquheni për batuta, madje ndonjëherë e teproni edhe me shokët e skuadrës. Cila ka qenë “thagma” e fundit që keni bërë në ekip?

(qesh)… Para pak ditësh. Ishte data 7 dhjetor dhe morëm dy pagat: nëntorin dhe dhjetorin. I bie një muaj paradhënie, se nuk më kish ndodhur ndonjëherë në gjithë karrierën time që jo vetëm të merrja rrogën në datën e duhur, por edhe një muaj paradhënie. Shkova në stërvitje dhe i pashë çunat që ishin në formë. U thashë: po fituam dy ndeshjet e radhës, presidenca do të na japë edhe janarin paradhënie. Heshtje totale…. Më shikonin në sy dhe përpiqeshin të kuptonin nëse po bëja shaka ose jo. Nuk e mbajta gjatë seriozitetin, por ato çaste nuk kishin të paguar.

Keni më shumë humor në Durrës apo në Korçë?

Nuk më ka munguar ndonjëherë humori.

Po nëse ju përmend Takajn, a ju ndryshon humori?

Mos më provokoni. Unë çfarë kisha për të thënë, e thashë… Nuk i heq asnjë presje asaj që kam deklaruar në “Panorama Sport”. Takaj nuk u soll korrekt me mua. Nuk dua t’i kthehem më asaj pjese.

Latë të kuptonit se ishit i zhgënjyer edhe nga shokët…

Përjashtoj këtu Muzakën. Me Gjergjin kam raport të veçantë. Madje, ai para se të dilte në stërvitje, ditën e parë, më tha: Osman, unë i kam marrë lekët, të dal apo jo në stërvitje? – Dil,-i thashë…. Gjergji u tregua korrekt.

Po të tjerët?

No koment.

Lilaj dhe pastaj ju… Takajt i hasi sharra në gozhdë, pikërisht me korçarët…

Nuk përzihem me të tjerët, por me mua ra dakord për diçka dhe më pas nuk i qëndroi korrekt fjalës. U zhgënjeva, sepse rrezikova të mbetesha pa skuadër, ndërkohë që ai e dinte mirë se kisha bisedime edhe me Flamurtarin, edhe me Teutën. Nuk e meritova atë trajtim.

Meqë jemi te Skënderbeu, a është e vërtetë që “shokët në Korçë ia lanë dy ndeshje Teutës”…?

Çfarë do të thotë kjo?

Kështu i kishin thënë Shkëmbit pas fitores në ndeshjen e parë…

Aha, ok, këto janë fjalë kafenesh. Më ndodhi edhe mua para ndeshjes këtu në Korçë. Po bëja muhabet në këmbëpara stadiumit dhe më thanë të njëjtën gjë. U thashë, “mos u mërzisni se edhe këtu fiton Teuta”. Jam kapiten i Teutës, ç’mund të them tjetër. Pas ndeshjes erdhën më thanë: “Ore, pse nuk na i thua ndeshjet kur e di si dalin…?!”. Ishin seriozë. Hajde merre vesh ç’bëhet në Shqipëri! Këtu edhe Real-Barcelona vihet në diskutim…

Po thoni që nuk keni humbur asnjëherë ndeshje me paramendim?

Ju vazhdoni të provokoni, por nëse dikush u referohet ndeshjeve të fundit, duhet të jeni pak më realistë. U kërkojnë lojtarëve të një skuadre që sapo ka fituar titullin matematikisht, që të luajnë dhe të thyejnë këmbët për të rrëzuar nga kategoria një skuadër tjetër (i referohet Skënderbeu-Vllanzia 1-5). Më thoni kush e bën këtë në Shqipëri? Kush është ai që ka fituar titullin dhe një javë më pas zbret në fushë edhe mat forcat me një ekip që e ka finalen e mbijetesës dhe ka motivimin dhe cinizmin e duhur që ta rrëzojë me çdo kusht një ekip tjetër… E lehtë të flasësh, por hajde bëje në praktikë…

Juve a ju kanë kërkuar ndonjëherë te Skënderbeu që të humbisni një ndeshje?

Asnjëherë. Kurrë. Por jam mësuar tashmë me paragjykime. Kam dëgjuar njerëz që çfarë nuk kanë thënë para një ndeshjeje dhe pasi kanë gabuar me parashikimet dhe paragjykimet, as më fal nuk kanë thënë.

Kur jeni mërzitur vërtet nga fjalët që keni dëgjuar pas një ndeshjeje?

Pas humbjes me Sportingun, 5-1. Na doli shpirti në fushë dhe nuk kisha fuqi as të dilja nga fusha. Doli Salihi herët me të kuq dhe shkoi gjithçka jashtë planit. U dërrmuam. Pas ndeshjes, mbaj mend se ka ardhur edhe gazetari Artan Hoxha, sepse ishte në stadium. Erdhi na takoi edhe tha “bravo ju qoftë” se kishte fatin që e kishte parë “live” ndeshjen, sepse po ta kishte parë nga TV, do thoshte që hapëm portën. Por ç’të shikoje ditën tjetër. “E hapën…”, “e shitën”, “e lanë”… U mërzita pa masë, sepse nuk jam lodhur ndonjëherë aq shumë në jetën time. Kurrë.

A keni ndonjë peng nga Skënderbeu, për çfarë ju merr malli?

Nuk kam asnjë peng. Luajta me shpirt për aq kohë sa vesha fanellën e skuadrës së qytetit. Nuk neglizhova kurrë, madje e kisha për krenari që të isha pjesë e asaj skuadre. Më vjen keq vetëm që nuk jetoj më në Korçë tani, që të shkoj te varri i vëllait një herë në javë…(i dridhet zëri dhe hesht për disa sekonda). I kam lënë prindërit atje, por do të doja t’i shkoja te varri një herë në javë sepse është humbja më e madhe në jetën time (mbytet në ngashërime…).

Pse keni besim tek Teuta?

Sepse jemi një skuadër ku ka harmoni. Rolet janë të ndara dhe secili bën punën e tij. Por edhe sepse ka një siguri financiare të jashtëzakonshme. Presidenca, Hasanbelliu dhe Bardhi kanë qenë të jashtëzakonshëm në këtë pikë. Dhe në gjendjen ku është futbolli shqiptar sot, e dini se sa e rëndësishme është kjo gjë.

Po Takaj, a është kaq korrekt?

Ka një mënyrë tjetër të të punuari. Ndonjëherë i vonon paksa edhe rrogat, por e bën për të motivuar ekipin. I mban nën tonus lojtarët, por lekët i jep gjithmonë. Nuk ka diskutim kjo.

Pse nuk shkuat te Flamurtari?

Mund të kisha shkuar edhe atje. Idrizi u tregua zotëri i vërtetë edhe në bisedat që patëm. I thashë që unë nuk e tradhtoj Takajn. Do pres se çfarë do më thotë ai dhe pastaj do të kthej përgjigje. Por unë kam lidhje speciale me Teutën, me Hasanbelliun dhe Bardhin, por edhe me Shkëmbin. U bënë shumë faktorë…

Ju keni punuar me shumë presidentë, nëse ju përmend emrin e secilit prej tyre, do të doja të më bënit thjesht nga një koment…

Dakord!

Albert Xhani…

I pari që më thirri “Osman bej”. Unë i thosha “sulltan”… Edhe ai shumë tifoz. Sakrifikoi shumë për Partizanin. Mbaj mend kur negociuam për të shkuar atje i kërkova 10 milionë lekë paradhënie. “Jo”, – më tha, – në asnjë mënyrë. Isha duke u kthyer në Korçë dhe më mori në telefon një gazetar. I thashë që e mbylla me Partizanin, edhe pse në fakt as kontratë nuk kisha firmosur dhe as lekë nuk kisha marrë. Kishte parë gazetën ditën tjetër dhe më mori që në mëngjes: “Hajde merri lekët. Hallall i ke vetëm që ke thënë se e ke mbyllur me mua”. Ishte i veçantë.

Refik Halili…

Është nga ata presidentët që nëse bëje 3-4 fitore radhazi, mund të të shpërblente në mënyrë të çmendur. Nuk frenohej. Kur shkova te Tirana më bëri ofertën edhe më pyeti: “A je në rregull me kaq? – Dakord, – i thashë, – nëse je ti në rregull, edhe unë në rregull jam… Po më shikonte me habi. U nisëm të dy drejt Maqedonisë ku po bënte Tirana fazën përgatitore… Në Elbasan m;u afrua edhe më tha: “Na edhe këto 10 milionë lekë, se nuk e kuptova mirë atë që më the”. Filluam të qeshim dhe i thashë me humor: “Deri në Librazhd do më japësh edhe nja 10 milionë të tjera…”

Arben Laze…

I pasionuar shumë pas futbollit. Shpenzime të mëdha për të fituar. Edhe me atë gjatë kohës së negociatave pata një histori. Kur isha te Bylisi, ishpresidenti… më pati ofruar nja 3 milionë lekë paradhënie, por pasi firmosa më tha, m’i jep se më duhen. M’i dha më vonë, por mua më ngeli në mendje ajo gjë. Kur shkova të flisja me Lazen, ia tregova si histori dhe i mora lekët paradhënie… Edhe sot ma kujton: “Si ore më more lekët para se të firmosje?”

Ardjan Takaj…

Më pati thënë një herë Muzaka: “Imagjino, po t’i mbante lekët Takaj kesh, kushedi sa lekë do t’i merrje…”. M’u desh një shumë e vogël parash dhe ai ma dha në moment, ndaj edhe Muzaka lëshoi atë batutë. Por, është pak i vështirë. Duhet ta pranoj se në shumicën e kohës batutat i bëj unë, por këtë herë batutën e ka bërë ai. Ishim një herë bashkë dhe në një moment tha: “Nëse futbolli do luhej me fjalë, ti Osman pa dyshim do t’ia kalojë Lionel Mesit…”.

Edmond Hasanbelliu…

Serioz dhe burrë i fjalës. Por, nuk e ndaj dot nga Ardian Bardhi. Ai gjithashtu ka një kontribut të madh. Besoj se të dy kanë bërë të mundur ndërtimin e një skuadre të tillë këtë sezon. Hasanbelliu është presidenti më i vjetër dhe natyrisht, shumë tifoz i Teutës. Nuk kënaqet asnjëherë. Bardhi është i përkushtuar deri në detajet më të vogla. Më tha që do bënim një lokal bashkë në Tiranë. “Dakord” i thashë, por nuk do quhet “Pascucci, por “Osmani i Pascucci-t”. Janë një binom shumë i mirë me Hasanbelliun.

Çfarë ka Teuta, që të tjerët nuk e kanë?

Ka cilësi pa dyshim, por mbi të gjitha ka qetësi dhe ka siguri.

Ju keni qenë dikur te Partizani. A ka më shumë shanse kjo skuadër për të marrë titullin tani që Skënderbeu ka probleme?

Partizani ka skuadër shumë të mirë, është e dukshme. Por, ka disa probleme që nuk mund t’i anashkalojë.

Çfarë problemesh?

Së pari, nuk ka shumë lojtarë me eksperiencë. E keni parë që kur mungon Trashi, apo Hoxha, nis të lëkunden. Kam respekt për zëvendësuesit e tyre, por ky është realiteti. Së dyti, nuk shfrytëzon rastet për t’u shkëputur: po të kishin fituar me ne ose me Skënderbeun në fushën e tyre, sot 70% edhe titulli do të ishte i tyre. Ndërsa kështu, nuk e kanë edhe aq të sigurt. Të shohim…