Presidenti i Bayernit të Mynihut, Karl-Hainz Rummenigge ka deklaruar se të gjithë klubet në Gjermani janë shprehur në favor të përfundimit të rregullt të kampionatit, qoftë kjo edhe nëse do t’ju duhet të luajnë përtej muajit qershor për shkak të koronavirusit.

“UEFA kritikoi me të drejtë Belgjikën, për vendimin e nxituar, por ne në Gjermani jemi të gjithë në një mendje për të çuar deri në fund kampionatet. Bëhet fjalë për të 36 klubet e Bundesligës 1 dhe 2, që janë shprehur të gatshëm të luajnë edhe në korrik, për të mbyllur rregullisht kampionatet, duke qenë se edhe UEFA u ka dhënë prioritet këtyre, para kupave europiane”, deklaroi Rummenigge.

Një problem me të cilin pritet të përballen klubet, është ai i kontratave me disa lojtarë, të cilat skadojnë më 30 qershor dhe lojtarë të tillë Bayerni ka plot 3, ndërsa presidenti i bavarezëve ka deklaruar se kjo kërkon një zgjidhje të përgjithshme nga FIFA.

“Ne kemi Perisic, Coutinho dhe Odriozola, të cilëve ju përfundon kontrata më 30 qershor, por mendoj se në këtë rast ka nevojë për një zgjidhje të përgjithshme nga ana e FIFA-s. Besoj se duhet shtyrë gjithçka deri në përfundimin normalisht të sezonit”, u shpreh presidenti i Bayernit.