Rustem Hoxha, një nga liderët e prapavijës së Teutës kryesuese, mendon se kthimi në vendin e parë për momentin nuk do të thotë shumë pasi një pikë nuk është diferencë e madhe. Ai sqaroi se kampionati ishte i hapur si rrallëherë më përpara. “Duhet të jemi me këmbë në tokë se një pikë nuk është ndonjë diferencë e madhe. Arapi është më mirë, po merret fizioterapisti, ka përmirësim.

Shpresojmë që në ndeshjen me Partizanin ta kemi gati. Ndeshja me Bylisin ishte shumë e vështirë se nëse nuk do të shënonim aq shpejt do të ishte më e vështirë se trysnia rritët, ekipi hyn në presion. Për fat shënuam shpejt, menaxhuam mirë rezultatin e lojën dhe na dolën golat e tjerë që e lehtësuan punën. Shyqyr që shënoi Aleksi se na erdhi edhe fati. Kemi lënë shumë pikë në fillim. Ndaj është pozitive të kemi avantazh dhe që të jesh në fushën tënde ndaj rivalëve e të luash për dy rezultate.

Nuk e di çfarë kanë ekipet e tjera, por mund të flas për ekipin tim që jemi grup të bashkuar me të rinj të talentuar me lojtarë me eksperiencë që i ndihmon shumë dhe besoj se ky është një plus i madh. Te Teuta gjithmonë ka qenë ambienti pozitiv edhe kur nuk kemi pasur rezultate. Për fat kemi president që nuk na fut në trysni që të na bëjë mbledhje. Na ka dhënë besim dhe kjo besoj se është plus që është arsye pse jemi lart në tabelë. Është kampionat shumë i vështirë, diferencat nuk kanë qënë të mëdha.

Të gjithë kanë patur luhatje, edhe ne i kemi pasur. Shpresojmë të kemi lënë pas ato luhatje.Peng janë këto ndeshjet brenda që kemi lënë pikë, me Kastriotin, Skënderbeun, janë këto që janë më pak peng se duhet të fitosh.Kastrioti nuk frikëson, por kanë një grup të mirë me luftë sportive. Janë në pozita jo të mira e këtë duhet të shfrytëzojë se atij vetëm 3 pikët i bëjnë punë dhe të menaxhojmë ne trysninë që kanë që ta vendosim në plusin tonë.

Sulmuesi më i vështirë që lëviz shumë edhe pas shpine për mbrojtësin është Seferi. “Ka lëvizje shumë të mira, ai na ka hapur punë të them të drejtën. Shyqyr që nuk na ka shënuar e kështu e kemi fituar betejën”, tha Hoxha.