Rustem Hoxha është përforcimi i parë zyrtar i Teutës dhe mbrojtësi është kthyer sërish në familje. Mbrojtësi shtatlartë i Teutës flet për pritshmëritë, objektivat në sezonin e ri, por edhe ndjesinë e kthimit në ekipin mëmë. Në sezonin e fundit, Rustem Hoxha ka luajtur me Luftëtarin, ku zhvilloi një kampionat pozitiv.

Jeni bërë pjesë e Teutës. Çfarë ju bindi të firmosni për këtë klub?

Te Teuta u riktheva me dëshirën më të madhe, pasi është “shtëpia”. Asgjë e veçantë përveçse u ktheva aty ku nisa të hidhja hapat e parë si futbollist. Dua të falënderoj edhe drejtuesit më të lartë të Teutës për besimin që kanë në cilësitë e mia dhe do mundohem t’ia shpërblej në fushën e lojës me paraqitje dinjitoze.

Çfarë ofertash të tjera keni pasur?

Tek Teuta erdha dhe me dëshirën time. E dija cilësinë që kishte në skuadër. Unë jo se nuk kisha oferta, por zgjodha një skuadër që për mua është “shtëpia” ime, por dhe garancia për një ekip pretendent dhe që kërkon vazhdimësinë. Kam besimin e plotë se do të jetë një skuadër dhe më e fortë se një sezon më parë. Dhe uroj që të ecim sa më larg në Europë.

Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës dhe jeni në Europa League?

Dua të them se të gjithë duhet të japim më të mirën tonë në çdo seancë stërvitore, pasi në Europë duhet sakrifikuar dhe duhet dhënë 100%, por deri atëherë, ka kohë. Së bashku kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë në Europë. Shpresojmë që dhe kundërshtari që do të na rezervojë shorti, të jetë i një niveli të kalueshëm. Këtu janë të gjithë profesionistë dhe duhet të mendojmë për ndeshjet e Europës dhe të respektojmë fanellën. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë në fushë.

I trembeni konkurrencës te Teuta, duke qenë se në ekip ka futbollistë mjaft cilësorë?

Siç e thatë dhe ju, tek Teuta ka lojtarë mjaft cilësorë, por çdo futbollist ka punën e vet dhe detyrat e veta. Sipas konceptit tim, çdo gjë që gjykon trajneri, është e drejtë. Dhe me duhet të punoj sa më shumë. Tifozët durrsakë gjithmonë kërkojnë shumë, tani që klubi ka ambicie të mëdha edhe ata duhet ta mbështesin ekipin. Teuta këtë vit bëri një sezon tepër pozitiv, por besoj se do ta nisim mbarë që në Europë dhe do t’i afrojmë. Edhe duhet të punojmë shumë në këtë pjesë, pasi duhet të ushqejmë te të rinjtë dëshirën për futboll, për t’i afruar në stadium.