Gjermania zhgënjeu në ndeshjen e parë të Kupës së Botës, teksa u mposht nga Meksika me rezultatin 1-0. Kjo humbje e papritur shokoi të gjithë tifozët gjermanë, të cilët mbetën të pakënaqur nga paraqitja e skuadrës në fushë.

Teksa skuadra po i drejtohej dhomave të zhveshjes me kokën ulur në fundin e ndeshjes, mesfushori Julian Brandt, u ndal i qeshur para tunelit, mori celularin dhe shkrepi një selfie me tifozët.

Ky veprim i futbollistit të Bajern Leverkusenit, u komentua gjatë në rrjetet sociale dhe të shumë ishin kritikat për të. Sipas tifozëve, në situatën ku ndodhej skuadra, nuk kishte vend për foto. Gjithsesi duke marrë shkas nga gjyqi publik i bërë në rrjetet sociale, Brandt sqaroi edhe veprimin e tij.

“Padyshim që pas një ndeshjeje të tillë ka shumë zhgënjim, pasi njerëzit janë të nervozuar. Edhe unë po shkoja drejt tunelit kur ky djali i vogël më thërriti. Nuk e mendova dy herë”, shpjegoi futbollisti për mediat gjermane.

“Në atë moment ia bën ose jo një nder këtij fëmije. Unë personalisht nuk e mendova dy herë, mora telefonin dhe bëra foton”, u shpreh mesfushori gjerman.