Real Madridi e ka merituar përcaktimin e “mbretit” në blerje yjesh. 300 milionë euro të shpenzuara këtë verë janë shembulli më i mirë në këtë drejtim. Sidoqoftë, kushtëzimet financiare të UEFA-s (fair play financiar) e bëjnë të detyrueshme edhe drejtimin tjetër, shitjen e lojtarëve, për të pasur një bilanc të rregullt mes shpenzimeve dhe të ardhurave. 

Që nga koha kur Florentino Pérez u kthye në presidencën e klubit të bardhë, Real Madridi ka arkëtuar më shumë se 730 milionë euro nga transferimet e lojtarëve (shitjet). Dhe qëllimi është që kësaj vere, kjo shifër ta tejkalojë cakun e 1 miliard eurove.

Kjo do të nënkuptonte që vera e këtij viti të sjellë më shumë para se asnjëherë tjetër në arkën e Real Madridit. Të paktën, pritshmëritë janë që të ndodhë kështu. Në vitin 2018, me largimin e Cristiano Ronaldos drejt Juventusit, u vendos një rekord i ri, që tani do të tejkalohet.

Shitjet më të shtrenjta të Real Madridit (2009-2019)

1. Cristiano Ronaldo (Juventus): 105 milionë euro
2. Di María (Manchester United): 75 milionë euro
3. Morata (Chelsea): 66 milionë euro
4. Özil (Arsenal): 50 milionë euro
5. Higuaín (Nápoli). 39 milionë euro
6. Marcos Llorente (Atlético Madrid): 30 milionë euro
7. Danilo (Manchester City): 30 milionë euro
8. Jesé (PSG): 25 milionë euro
9. Robben (Bayern): 25 milionë euro

Deri tani, në merkaton e kësaj vere, të ardhurat nga shitjet e lojtarëve janë 40 milionë euro, shumë me të cilën Marcos Llorente u shit tek Atletico Madrid.

Dhe pritet të rimbursohen shumë më tepër para. Shitja e Bale, James, Theo, De Tomaso apo Kovacic, pritet që të sjellin rreth 300 milionë euro të ardhura totale në arkat e klubit të bardhë. Kjo shumë do të shërbejë për të kompensuar kolonën e shpenzimeve dhe madje për të bërë ndonjë goditje të fundit në merkato. 

Rasti më i komplikuar do të jetë ai i Bale, nga shitja e të cilit priten më shumë të ardhura. Ideja e uellsianit është që të presë dhe ta vërë nën presion klubin, i vetëdijshëm se tregu i tij më i madh, Premier League, do të mbyllet më shpejt (8 gusht).

Bale nuk shqetësohet fare nëse qëndron edhe në stol, në “Bernabeu”, mjafton të marrë pagën e majme. Real Madridi duhet të lëvizë shpejt edhe për James Rodriguez, që pritet të shkojë te Napoli.

 Nga Ceballos, i cili po shkëlqen me Spanjën në Euro U-21, pritet një disbursim i lartë. Në rastin e tij, shitja është e sigurt, sepse ka mjaft oferta.

Një situatë e tillë nuk duket për Lucas, Nacho apo Isco, të cilët mund të largohen vetëm nëse ofrohen shuma, që e bindin klubin dhe futbollistët. Me pak fjalë, pas përforcimeve të rëndësishme, “Los Blancos” janë gati të hapin dyert e largimeve. 1 miliard euro në epokën e dytë “Florentino”.