Teuta mori një pikë me vlera kundër Skënderbeut, megjithatë për mënyrën se si shkoi ndeshja, ky barazim konsiderohet si humbje për “Djemtë e Detit”. Diferenca me Vllazninë është sërish katër pikë dhe tani gjithçka bëhet me e vështirë. Autori i golit të vetëm të durrsakëve, Ardit Hila, thotë se të gjithë janë të trishtuar për këtë rezultat, teksa kritikoi shokët e repartit ofensiv.

“E kishim përgatitur ndeshjen për ta fituar dhe i shkuam shumë afër, por kaq janë forcat tona. Kishim shumë nevojë për pikë dhe e meritonim të fitonim, pasi luajtëm më mirë se kundërshtari, por nuk e arritëm dot dhe kjo për fajin tonë. Kaq mundësi kemi, këto janë kualitetet tona në sulm, kishim disa raste për ta mbyllur ndeshjen dhe nuk e bëmë”, tha fillimisht sulmuesi.

Përse e keni kaq të vështirë të shënoni?

Kishim raste të mira, por nuk jemi efikas përpara portës. Futbolli kështu e ka, nëse nuk shënon, do pësosh dhe kjo gjë ndodhi edhe me ne sot. Jemi të mërzitur, por duhet të shohim përpara.

Ndodheni të parafundit në klasifikim, por luani futboll sikur jeni në vendet e para në renditje, megjithatë pikët ju mungojnë. Çfarë po ndodh me Teutën?

Në këtë moment loja e mirë nuk ka rëndësi fare. Më mirë të luanim keq dhe vetëm të merrnim tri pikët. Është shumë e vështirë kjo situatë, realisht edhe ne ndihemi keq kur nuk fitojmë, pasi po ta shohësh ekipin në fushë, nuk të jep idenë se jemi një ekip që luajmë për mbijetesë. Ky është një paradoks. Shpresoj të kthehemi te fitorja në ndeshjen tjetër.

Diferenca me Vllazninë sërish katër pikë, por tani kalendari flet për ju?

Teuta duhet të shohë vetëm ndeshjet e saj dhe të mos mendojë fare për Vllazninë. Ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe mos shohim se çfarë bën kundërshtari. Ndeshjen e radhës e kemi në Lushnjë. Do ta përgatitim më kujdes për të marrë fitoren, pasi trepikëshi është detyrim për ne. Çdo ndeshje nga ky moment duhet ta shohim si finale.

Çfarë ju tha trajneri në përfundim të takimit?

U duk qartë që ishte shumë irrituar me ekipin. Realisht, të gjithë ishim pafjalë, shumë të mërzitur për barazimin, pasi nuk e meritonim. Jo vetëm trajneri, por të gjithë e përjetuam keq, pasi kishim shumë nevojë për këtë fitore, por ky është futbolli.