Sherif Kallaku konfirmon interesin e Trabzonsporit. Ai pranon se diçka po “gatuhet” për transferimin e tij jashtë vendit, ndonëse qartëson se është ende nën kontratë dhe janë drejtuesit, ata që do të vendosin për të ardhmen e tij.21-vjeçari nga Fushë-Kruja analizon sezonin e fundit me durrsakët dhe realizimin e objektivit “Euro”. Nuk kishte si të mos fliste edhe për Shpresat, ku është i grumbulluar për ndeshjen kualifikuese me Turqinë, si edhe dy miqësoret kundër Uellsit.

Emri juaj është lakuar orët e fundit për një kalim tek Trabzonspori, si është e vërteta?

Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por më duhet të pranoj se Trabzonspori është interesuar për mua. Kam një kontratë me Teutën dhe duhet ta respektoj atë. Për pjesën e largimit tim, janë drejtuesit ata që vendosin. Unë jam i fokusuar te ndeshjet me Kombëtaren U21 dhe më pas me Teutën në Ligën e Europës.

Meqenëse prekët Europën, çfarë “arome” pati ajo fitore kundër Laçit?

Jemi të kënaqur të gjithë si skuadër për atë që dhamë në fushën e lojës dhe morëm atë rezultat që na dha një biletë për Europë. Merita nuk është as e imja dhe as e ndonjë individi tjetër, por e gjithë grupit që funksionoi shkëlqyer. I gjithë ekipi ka besim se do të jemi edhe më të fortë në Kupat e Europës dhe pse jo të mos tentojmë të kalojmë një tur.

Nuk do të guxoni më shumë?

Si fillim duhet të presim shortin e më pas duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Të përqendrohemi vetëm tek turi i parë, ta kalojmë atë dhe pastaj mendojmë për turin tjetër dhe kështu me radhë.

Edhe pse e përmendët më lart, ju personalisht keni dëshirë që ta provoni Europën me fanellën e Teutës?

Dëshira nuk mungon. Por jo gjithçka do të jetë në dorën time. E përmenda që jam në kontratë, ndaj me këtë logjikë i bie që do të jem pjesë e Kupat e Europës. Do ta shijoj edhe këtë gjë.

Menjëherë pas ndeshjes me Laçin, u grumbulluat me Shpresën. Çfarë synimi keni?

Do japim maksimumin, si në çdo ndeshje të sezonit të kaluar eliminator dhe të na vijnë sa më shumë njerëz për të na përkrahur. Synimi është të bëjmë më të mirën dhe jemi të sigurt që do e bëjmë këtë dhe do kërkojmë tri pikët në çdo takim. Të gjitha ekipet në grup janë të forta, të gjithë jemi njësoj. Do bëjmë çmos që të grumbullojmë sa më shumë pikë.

E mbyllët sezonin me 7 gola të shënuar, i kënaqur?

Normalisht. Jam i lumtur, pasi roli që kam unë nuk është se më jep mundësi të shënoj shumë, por meritë ka dhe skuadra pasi me ndihmën e tyre kam shënuar. Jam i kënaqur me veten, sepse golat e mi kanë ndihmuar Teutën të shkojë në Europë.

Për ta mbyllur, keni diçka për t’u thënë tifozëve?

Dua vetëm t’i falënderoj shumë për mbështetjen e pakushtëzuar që na kanë dhënë. Premtoj që do të jap më të mirën time për fanellën që kam veshur. Dhe për këtë të fundit, jap garanci.