Shumë i kënaqur për shpirtin e garës që shfaqën futbollistët në fushë, por disi i zhgënjyer që nuk u arrit fitorja. Bledi Shkëmbi, gjithsesi, ka fjalë vetëm pozitive për skuadrën e tij.

Çfarë i mungoi sot ekipit për të marrë fitoren?

Nuk na mungoi gjë, bëmë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Pas golit, patëm një tërheqje, edhe për meritë të Partizanit, por jam i kënaqur nga çunat, sepse luftuan, por rezultati është barazim dhe për mua është “ok”.

Afruat në stadium publikun, çfarë premtoni duke parë ngjitjen e ekipit?

Donim që të fitonim sot, për këta tifozë, dhe sot erdhën të shumtë. I falënderoj. Përveç rezultatit, futbollistët bënë maksimumin, dhe edhe tifozët mbetën të kënaqur.

Nëse Sidibe do të ndërhynte për faull, mund të merrnit 3 pikët…

Ke të drejtë, me një faull taktik nuk e kishim pësuar atë gol, por e dimë që futbollisti vendos në sekond. Ai u mundua të bënte faull, por nuk e bëri dot. Patëm raste për të shënuar, por nuk kishim fat, ose edhe për meritë të Hoxhës. Por, të mos harrojmë, luanim kundër një ekipi si Partizani, dhe është e vështirë për ta mundur.

Opinioni juaj për Roni Gashin?

Më bëhet qejfi për Gashin, ashtu si për Kallakun. I kemi marrë me besim, që të jenë edhe investim për klubin. I kemi marrë të jenë të rëndësishëm për Teutën në këtë kampionat.

Çfarë do t’i ndryshonit kësaj ndeshjeje dhe a biseduat me Osmanin pas nervozizmit?

Kësaj ndeshje nuk do i ndryshoja asgjë, ndoshta duhet ta rishoh. Futbollistët bënë maksimumin sot. Pësuam gol, reaguam, patëm raste por nuk shënuam dot. Futbolli kështu është. Tani ngelet ndeshja e radhës, dhe të shkojmë për të fituar. Osmanit nuk i fola asgjë, sepse e pashë që ishe qetësuar.

Gega një ditë para ndeshjes tha: “Nuk e dija që e kishin kaq frikë Partizanin”, a ka aleatë Teuta?

Sot për fat të mirë ka tifozët. Deri tani ka tifozët, presidentin, sponsorët. E kemi treguar kush janë aletatët nga ndeshja në ndeshje, edhe sot.