Fitorja e Teutës pa dyshim që e gëzoi trajnerin Bledi Shkëmbi, i cili e ka quajtur një ndeshje kyçe për vijimësinë dhe objektivin sezonal, që mbetet pjesëmarrja e Ligën e Europës.Por, trajneri nuk është se ka mbetur moralisht i kënaqur nga interpretimi i lojës së të tijve në momente të veçanta.

“Fitorja ishte tepër e rëndësishme dhe për fat të mirë arritëm që të dilnim me tri pikët. Ishim përgatitur për të fituar dhe ndeshjen e kishim punuar mjaft mirë. Është mirë kur ekipi reagon dhe fillon të lëvizë ashtu siç duhet. Ndërsa në momente të caktuara të lojës kemi pasur edhe probleme dhe natyrisht që kjo na ka bërë të vuajmë disi përballë Skënderbeut. Gjithsesi, e rëndësishme për ne mbetet fitorja dhe duhet të vijojmë kështu edhe në tri javët e mbetura. Skënderbeu në vështirësi? Është hera e katërt që unë përballem me Skënderbeun si kundërshtar dhe të them të drejtën e dua shumë këtë ekip. Dua ta shoh gjithmonë në ato nivele që e kam parë dhe e kam lënë kur kam qenë këtu. I uroj që të kapë objektivin, pasi është një pjesë e imja. Por, kur jemi përballë jemi kundërshtarë dhe përpiqem të bëj më të mirën time”, përfundoi Shkëmbi.