Trajneri i Teutës, Blendi Shkëmbi u shpreh i zhgënjyer për humbjen e durrsakëve në Korçë, ndërsa pranoi se edhe loja e të tijve la për të dëshiruar.

I zhgënjyer për humbjen, apo më shumë për lojën?

Jam i mërzitur, për rezultatin dhe mënyrën se si luajtëm dhe si pësuam gol. Gabuam me rreshtimin dhe vendosjen te goli, por edhe Skënderbeu vazhdon të jetë i frikshëm. Unë mendoj që nuk duhet ta bëjmë dramë, por u bënë 2 ndeshje që kemi probleme në fazën sulmuese, sidomos në 30 metrat e fund. Patjetër që kjo është një përgjegjësi e ima dhe një problem që duhet ta zgjidhim.

Provuat me tre ndërrime, por nuk asnjëri prej tyre nuk arriti të ndryshojë gjë…

Në qoftë se Çyrbja do të shënonte gol, atëherë do të thoshim që stoli e ndryshoi lojë. Janë disa momente që lojtarët që vijnë nga stoli, por edhe ata që luajnë nga fillimi, duhet t’i shfrytëzojnë. Skënderbeu i shfrytëzoi momentet, ndërsa ne jo.

Duket se Teuta e vuan shumë mungesën e Kallakut, ndërsa lojtarët e sulmit vijojnë të tregohen egoistë…

Sot nuk kam parë ndonjë lojtar egoist. Çyrbja bëri një lëvizje të mirë, e goditi topin, duhet të rregullojë shënjestrën. Për sa i përket Kallakut, të gjithë jemi dakord që cilësitë e tij na mungojnë. Por futbolli kështu është. Është diçka që duhet ta zgjidhim pa Kallakun deri në momentin që do jetë në formën e tij më të mirë