Teuta është fokusuar tërësisht në merkato në këtë periudhë me qëllimin për të mbyllur gjithçka brenda 1 korrikut. Kompletimi i skuadrës është një prioritet për trajnerin Bledi Shkëmbi, i cili kërkon të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët kur të fillojë me fazën përgatitore, pasi në këtë mënyrë do të ketë më shumë kohë për t’u njohur me ekipin që do të drejtojë dhe të fusë tek ata filozofinë që ai do të ndjekë gjatë sezonit futbollistik.

Pas largimeve të shumta, por edhe në kuadër të përforcimit në skuadër pritet të afrohen dy mbrojtës qendre. Burime pranë klubit bëjnë me dije se janë nga kampionati kosovar dhe gjithçka do të qartësohet në ditët e ardhshme. Shkëmbi i njeh mjaft mirë, pasi një sezon më parë ka punuar në Kosovë dhe duke ditur vlerat e tyre u ka kërkuar drejtuesve të fillojnë me bisedimet.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, brenda javës futbollistët do të kenë nënshkruar kontratën me bregdetarët. Mbrojtja ishte një nga problemet më të mëdha në sezonin e kaluar dhe Shkëmbi ka preferuar të ndërhyjë menjëherë te ky repart. Pas Lushnjës, Teuta ishte ekipi i dytë që pësoi më shumë gola, plot 58.

Brishtësia në repartin difensiv u kushtoi shumë bregdetarëve, pasi në rast se do të ishin treguar stoik, ndoshta do ta kishin mbyllur kampionatin në një pozicion tjetër. Aktualisht në dispozicion të tij janë: Ante Hrkaç, Bojan Gjorgjievski, Esin Hakaj, Silvestër Shkalla, Fabjan Beqja, si dhe Edison Ndreca, i cili u afrua me skuadrën vetëm pak ditë më parë.

Duke marrë si pikë referimi atë që ndodhi vjet, trajneri por edhe drejtuesit kanë prioritet mbrojtjen. Edhe pse në futboll shpesh thuhet mbrojtja më e mirë është sulmi, kjo gjë nuk ka funksionuar mirë te Teuta, pasi edhe pse ishin sulmi i tretë më i mirë me 55 gola, sërish u renditën në vend të tetë.