Bledi Shkëmbi ka shumë kritika por nuk e bën dramë humbjen me Luftëtarin. Trajneri i Teutës thekson se lojtarët me eksperiencë duhet të merrnin më shumë përsipër.

Ishte një ditë jo për Teutën, çfarë nuk shkoi në këtë transfertë?

Nuk shkoi lufta dhe dëshira për ta fituar topin. Në futboll nuk mund të luash vetëm kur ke topin në këmbë. Kundërshtari ishte agresiv dhe i fitoi të gjithë topat e diskutueshëm. Bëmë gabime individuale, që do t’i zgjidhim gjatë javës. Lojtarët me eksperiencë duhet të marrin më shumë përsipër. Disa lojtarë i kuptoj se kanë fituar vonë stërvitje, ndoshta ky është problemi kryesor. Pas golit të parë, patëm një problem psikologjik, lojtarët me eksperiencë duhet ta ndihmojnë në këtë pjesë ekipin.

Latif ka prekur më shumë topa se treshja e mesfushës…

Pas golit të parë, më shumë vuajtëm nga ana psikologjike. Na penalizoi dita jo e mirë e Avdylit. Është një lojtar i rëndësishëm, që pason shumë mirë. Gjithsesi, tek Avdyli kam shumë besim. Në futboll ka dhe ditë jo. Na mungoi besimi për pasimet vertikale, apo qarkullimin e topit.

Kishte edhe vendosje të gabuar të mbrojtësve të qendrës…

Veç 2 mbrojtësëve të qendrës, edhe Sidibe ishte i vendosur gabim te goli i parë. Ishte dhe meritë e kundërshtarit që shënoi. Lojtarët me eksperiencë nuk duhet t’i bëjnë këto gabime. Në futboll ndodh, duhet t’i rregullojmë.

A di Teuta të jetë cinike, jo e bukur, për të marrë rezultatin që dëshiron?

Kjo më takon mua. Kam menduar që ne kemi një nivel si skuadër, duhet të luajmë futboll të mirë dhe të fitojmë në këtë mënyrë. Nuk duhet ta bëjmë dramë, por ndeshjet kalojnë, duhen pikët. Kjo është përgjegjësia ime, ndoshta duhet të jemi më pak sulmues për ta fituar ndeshjen.