Bledi Shkëmbi është i lumtur që pas një sezoni të suksesshëm në krye të Teutës u shpërblye nga drejtuesit me rinovim të kontratës.Trajneri i durrsakëve ka folur rreth fillimit të përgatitjeve, ndeshjeve në Europë dhe merkatos.

Bledi, pas një jave përgatitjeje, si paraqitet gjendja e skuadrës?

Jemi duke punuar dhe dihet që kjo është një periudhë ndoshta më e vështira për futbollistët. Ata duhet të punojnë shumë fizikisht dhe deri tani për fat të mirë çdo gjë po shkon mbarë. Shpresoj që deri në ndeshjen e parë në Ligën e Europës të jemi në formën tonë më të mirë.

Keni marrë bekimin e drejtuesve për të vijuar projektin me Teutën edhe për sezonin tjetër. Çfarë pritshmërish keni?

Mendoj që pritshmëritë do të jenë gjithmonë në bazë të asaj si do të përforcohemi apo si do të formojmë ekipin. Nuk diskutohet që gjithmonë unë pres që të shkojmë sa më lart. Si unë personalisht, ashtu edhe skuadra, pritshmëritë duhet t’i kemi të larta, duke filluar nga ndeshjet në Europë.

Besoni se do të kaloni një tur në Europë?

Së pari, uroj që të kemi pak fat në short. Ne do të luajmë për t’u kualifikuar, cilido që të jetë kundërshtari. Me këtë synim dhe mendim po përgatitemi, si fizikisht, por edhe psikologjikisht.

Keni pasur një eksperiencë pothuajse perfekte me Skënderbeun, duke kaluar disa ture në Europë dhe luajtur në grupe. Tani si trajner, a mendoni se mund të shkoni larg?

Është e vështirë t’i krahasosh situatat, sepse nuk është e njëjta gjë. Skënderbeu doli shumë vite kampion, por për të thënë të vërtetën, pas disa sezonesh arriti të bëjë atë hapin e madh për në Europë. Tashmë Teuta duhet të ketë pak fat në turin e parë, pasi mbaj mend se pikërisht edhe me Skënderbeun atë vit që kaloi disa ture, e kishim me vete fatin, si në short ashtu edhe gjatë ndeshjeve.

Të kalojmë te merkatoja, kapiteni Tefik Osmani është përfolur se do të transferohet te Tirana. Ju si trajner, çfarë planesh bëni?

E kam lexuar në gazetë për Osmanin, por mund të them se është lojtari ynë. Ai është kapiteni i ekipit dhe e ardhmja është diçka që i përket Osmanit dhe klubit. Është Osmani vetë ai që duhet të vendosë për të ardhmen.

Çfarë prisni nga merkatoja?

Pres të afrohen lojtarë cilësorë, që të përshtaten me filozofinë tonë, sepse mendoj që kemi bërë një grup shumë të mirë dhe patjetër që ardhjet që bëjnë diferencën janë të mirëpritura nga unë.

Si është e vërteta me Plakun, pasi kemi mësuar që e donit tek Teuta?

Me sa di unë, Sebino ka rënë dakord me një ekip tjetër, kështu që nuk mund të them asgjë më shumë.

Keni pasur ndonjë keqardhje nga sezoni i fundit?

Jo, sepse jam shumë i kënaqur për pjesën e klubit, pasi kishte disa vite që nuk ishte pjesë e Kupave të Europës dhe këtë sezon u rikthye. Nga ana personale, patjetër duhet ta quaj sukses sezonin e fundit, duke pasur parasysh faktin që ishte viti im i parë si trajner në Superiore. Mendoj se e nisa me këmbën e mbarë dhe duke kapur objektivin Europë me Teutën, nuk është pak për një trajner që sapo ka nisur karrierën.