Bledi Shkëmbi pret një Teutë edhe më të mirë se sezoni i kaluar, ndërsa beson se me ardhjen e një sulmuesi tjetër, skuadra do të jetë “top”. Trajneri komentoi edhe largimin e ndihmësit të tij, Endri Vrapi.

Bledi, si ju është dukur performanca e lojtarëve gjatë ndeshjeve miqësore në këtë minifazë në Korçë?

Në tri takime miqësore që zhvilluam, kam parë gjëra pozitive, sidomos te lojtarët e afruar së fundmi. Është normale që duhet të kërkojmë më shumë.

Janë arritur ato pritshmëri që ju keni nga lojtarët?

Po, ndoshta deri diku e kemi krijuar atë grupin me të cilin mendojmë se do të përballojmë kampionatin. Patjetër që presim që edhe disa lojtarë të vijnë në formën e tyre optimale. Ka futbollistë që ne i mendojmë se do të jenë të rëndësishëm dhe që presim shumë, por që nuk janë në gjendjen e tyre maksimale. E kam fjalën për Arapin, Vilën, Vecajn, por edhe të tjerë që ne duam të jenë në formën e tyre më të mirë.

Së fundmi është afruar Frashëri, prisni të tjera për forcime?

Kemi bërë të pamundurën për të marrë lojtarë që janë nga Durrësi dhe kanë dalë nga ekipi i Teutës. Për fat të mirë, ia kemi arritur. Kemi lojtarë nga akademia me të cilët unë jam shumë i kënaqur dhe mendoj se këtë vit do të kenë shansin e tyre për të luajtur. Nëse do ketë ndonjë afrim, do jetë vetëm një lojtar që na përshtatet dhe që për ne bën diferencën.

A jeni i kënaqur me alternativat që keni në fazën sulmuese?

Pikërisht në fazën sulmuese presim një lojtar, gjithmonë nëse vjen. Dihet që faza sulmuese është diçka specifike, pasi ai lojtar që afrohet, duhet të bëjë diferencën. Nëse afrohet, do të ishte shumë mirë, nëse jo, nuk kemi çfarë të bëjmë, do të punojmë me këta që kemi, pasi edhe me sulmuesit që janë në ekip, unë jam i kënaqur.

A është e konsoliduar mesfusha me ardhjen e Aleksit?

Patjetër, mendoj se kemi marrë një lojtar të mirë. Aleksi do kohën e tij për t’u përshtatur, por unë jam i bindur se do të na ndihmojë shumë dhe do të përshtatet shpejt me lojtarët e tjerë të mesfushës.

Çfarë objektivi ka Teuta këtë sezon?

Teuta këtë sezon minimumi do të ketë objektivin që ka pasur një sezon më parë. Ne nuk kemi frikë të themi që do të luftojmë për lart, do të luftojmë për tri vendet e para. Shpresoj që ta nisim mirë dhe të mos përsërisim në momente të veçanta ato gabime në sezonin e kaluar.

Ndihmësi juaj, Endri Vrapi, është larguar. Si është e vërteta?

Po, erdhi momenti që vendosëm të mos bashkëpunojmë më. Ka momente që duhet të ndahesh. E falënderoj shumë për ndihmën që na ka dhënë. Ka qenë një zgjedhje e imja. Presidenca ka qenë korrekte me Vrapin dhe mua, për të plotësuar dëshirat e mia për njerëzit që dua në staf. Ky ishte një vendim që e mora unë. Shpresoj të kem marrë vendimin e duhur.