Festa e Andi Lilës në Europian, pas golit të Sadikut, 2 vjet e gjysmë më pas duket si një kujtim i largët për Shqipërinë e futbollit. Skuadra që u kualifikua në “Francë 2016” dhe që arriti dhe një fitore në një kompeticion kaq madhor u mendua se do të kishte një bashkëjetesë të gjatë me suksesin, por në dy vjet e gjysmë Kombëtarja është kthyer dekada mbrapa, një pjesë e mirë e atij grupi nuk është më, një pjesë hyn e del në përfaqësuese pasi trajneri i ri, Cristian Panucci, mendoi se Shqipëria e tij kishte nevojë për një revolucion.

Ai ndjente nevojën për të shkëputur projektin e tij nga ai i De Biasit.Në eliminatoret e Botërorit, inercia e rezultateve dhe ruajtja e grupit bënë që Shqipëria ta mbyllte në vendin e 3-të, si kurrë më parë. Kompeticioni i ri Nation League duhet të hapte dritare të reja për t’u rikthyer në kompeticionin europian, por në 2018-tën, kuqezinjtë përjetuan vitin e tyre më të zi, humbje në miqësore me Bosnjën dhe Norvegjinë dhe një thes me gola në qershor përballë Kosovës dhe Ukrainës.

Trajneri këmbëngulte se po vazhdonte të eksperimentonte për të mirën e Shqipërisë dhe shumë shpejt do të shihnim Shqipërinë e tij të vërtetë, kur grupi të ishte i plotë dhe emrat në Kombëtare të mos ishin më të rastësishëm. Fitorja në start me Izraelin krijoi përshtypjen se situata do të ndryshonte, por u harrua se për një pjesë të mirë të lojës, ishte Strakosha që na shpëtoi nga një disfatë dhe ajo goditje e gjetur e Taulant Xhakës.

Fati nuk mund të të përqafojë gjithmonë dhe në Skoci u dhanë shenjat se nga qershori nuk kishte ndryshuar shumë. Më pas ndeshja në Izrael, që na ktheu te disfatat dinjitoze, me lojë të mirë, por sërish pa fat, sepse fati është gjithmonë alibia për t’u shpëtuar përgjegjësive.

Në Shkodër, ata që marrin pak erë nga futbolli ishin të ndërgjegjshëm që Shqipëria e Panuccit, 3 apo katër gola nuk do t’i shënonte kurrë në portën e skocezëve, pasi në 7 ndeshje zyrtare me të në stol kishim shënuar katër gola në total, 2 prej të cilëve ndaj Lichtensteinit, por të paktën kërkohej një mbyllje me fitore, për të treguar se ndoshta deri në këtë pikë opinioni ishte gabuar në gjykimin ndaj trajnerit italian dhe Panucci e meritonte një tjetër mundësi.

Por këtë herë filli u këput. Një 0-4 historik, vetëm se rezultatin historik e arritëm si dekada më parë, kur në tranzicionin e viteve 90-të pësonim humbjet më të thella me përfaqësuesen tonë. Kombëtarja aktualisht ka prekur vitin zero… me ndryshim e vetëm se elementët janë aty, por duhet vetëm dora e duhur për të na rikthyer të përjetojmë dhe një herë tjetër mbrëmje si ajo e Lionit, që ky të jetë viti zero pas të cilit lind shpresa.