Lancient Sidibe beson te fitorja me Partizanin, por hapur e thotë që nuk pret “dhurata” nga kundërshtari. Mesfushori i Teutës theksoi se do të tentojnë me çdo kusht të sigurojnë një biletë në zonën “Euro”.  Flet edhe për të ardhmen, ndërsa paralajmëron se do të vendosë pasi të luajë në Ligën e Europës.

Mund të themi që fitorja me Skënderbeun e solli kthesën e madhe?

E kaluam me vështirësi takimin e fundit me Skënderbeun. Megjithatë, e rëndësishme është që morëm tri pikë dhe ruajtëm pozitat në klasifikim. Tashmë, kampionati bëhet gjithnjë e më i vështirë, pasi secila skuadër kërkon të përfitojë sa më shumë pikë për të arritur synimet. Ne kemi bërë një sezon të shkëlqyer dhe na mbetet që ta mbyllim me këtë ritëm.

Si është gjendja e ekipit në prag të ndeshjes së Partizanit dhe a është gati Sidibe të shënojë sërish?

Gjendja e ekipit është mjaft e mirë dhe ne e presim qetësisht këtë sfidë. Ndaj Partizanit shpresoj që të kemi dhe fatin me vete dhe uroj që ta tregojmë veten në ballafaqimin në Durrës dhe t’ia dalim mbanë. A do të shënoj përsëri? Çdo lojtar hyn në fushë për të dhënë maksimumin e pastaj për të shënuar, nëse i jepet rasti.

Sigurisht në ndeshje të tilla një gol do të më kompletonte. Skuadra krijon raste, por nuk shënon shumë… Pse ndodh kjo?

E vërtetë, por pozitive është që ne po prodhojmë lojë dhe kjo na jep garanci që edhe golat do të vijnë. Mendoj se rezultati i kësaj ndeshjeje do të jetë deri diku përcaktues për ne, pasi mbeten për t’u luajtur edhe dy ndeshje të tjera dhe mund të hedhim një hap të madh drejt Europës. Për këtë ndeshje s’besoj se duhet karikim ekstra, pasi ne në të gjitha takimet kërkojmë të marrim maksimumin e pikëve.

A lejohen hapat falsë kundër Partizanit?

Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat deri në fund të kampionatit për të siguruar një biletë për në Europë. Ndaj Partizanit nuk lejohet asnjë hap i gabuar, pasi aty luhet vërtet sezoni ynë. Besoj se do ta dalim, duke fituar bindshëm. Nuk ka asnjë dyshim, do të fitojmë patjetër ndaj kryeqytetasve.

Partizani vjen si kampion në Durrës dhe logjikisht më i qetë. Do përfitoni prej këtij fakti?

Nuk e mendoj kështu, Partizani do të vijë në Durrës shumë i karikuar dhe nuk presim asnjë dhuratë. Teutës nuk i ka falur askush asgjë, nuk pres të ndryshojë gjë. Kemi Partizanin dhe Kastriotin përpara, këto janë finalet tona. Nëse dalim mirë në këto dy ndeshje, gjithçka merr për mbarë dhe më pas mundësia për të shkuar në Kupat e Europës është e madhe.

E ardhmja e Sidibes, afër apo larg Teutës?

Është ende herët, jam i përqendruar te ndeshja e radhës me Partizanin dhe synimet që ka skuadra. Të luaj në Europë. Pastaj, të shohim.