Ka optimizëm në kampin durrsak para ndeshjeve europiane. Teuta ka pësuar jo pak ndryshime gjatë verës sa i takon grupit të futbollistëve, por sërish titullarët e saj besojnë se skuadra është gati për sfidën me Ventspils. E thotë këte mesfushori Lancinat Sidibe, sipas të cilit, Teuta është e kompletuar. 

Si paraqitet gjendja e skuadrës pas 16 ditësh stërvitjeje në Bansko? 
Pas fazës përgatitore intensive që kemi zhvilluar, jemi rikthyer në Durrës dhe duhet të them se skuadra është pak e lodhur. Kemi kryer nga dy seanca stërvitore në ditë, duke marrë ngarkesë të madhe, ndryshe nga stërvitjet e zakonshme. Fatmirësisht, nuk kemi pasur dëmtime dhe lojtarët janë në formë të mirë. 

Më 11 korrik luani ndaj Ventspils në Ligën e Europës. A është gati Teuta për një rezultat pozitiv? 
Të jemi të sinqertë, ndaj Ventspils do të na duhet të djersitim shumë në fushë. Kundërshtari nuk është rastësisht në këtë kompeticion, ka një ekip të mirë, me lojtarë cilësorë. Janë sfida që kërkojnë forcë dhe karakter për t’u kaluar. Në mbrojtje duhet të tregohemi vigjilentë në çdo moment. 

Nëse me Ventspilsin do të tregohemi kompaktë në lojë, nuk ka pse të mos arrijmë rezultat pozitiv. Sa ka ndryshuar Teuta nga ajo e sezonit të kaluar? 
Kemi një grup kompakt dhe lojtarët kuptohen shumë mirë me njëri-tjetrin, edhe pse janë bërë shumë lëvizje. Di të them se jemi të fokusuar te stërvitja, sepse kërkojmë të gjithë të jemi në formë sa më të mirë para ndeshjeve të Ligës së Europës. Dhe do të mundohemi t’i interpretojmë sa më mirë dy ndeshjet, që ta kalojmë turin e parë në Europë. Do të bejmë çmos për t’ia dalë. E treguam në kampionat, ku pa zhurmë arritëm të siguronim një “biletë” europiane. 

Në 4 miqësore regjistruat 3 fitore dhe 1 humbje. Një sinjal pozitiv, apo jo? 
Nuk duhet të fiksohemi pas rezultateve në miqësore, e rëndësishme ishte gjendja e lojtarëve dhe impenjimi. Nuk ishim në presionin e rezultatit, pasi bënim nga dy seanca stërvitore në ditë. 

Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës në Ligën e Europës? 
Të gjithë duhet të japim më të mirën. Së bashku kemi besim të plotë se do të bëjmë mirë në Europë. Mendoj se kundërshtari është i kalueshëm dhe me besim duhet të përballemi me të. Të respektojmë fanellën, duke bërë detyrën tonë në fushë.