Një perlë e Kolarov, në versonin “Cristiano Ronaldo”,  i mjaftoi Serbisë për të marrë fitoren përballë Kosta Rikës në ndeshjen e parë të Grupit E. Futbollisti i Romës në Serinë A ekzekutoi mrekullisht një goditje të lirë në minutën e 56-të, duke mos i dhënë asnjë shans portierit Keylor Navas për të devijuar topin jashtë katërkëndëshit.

Kjo sfidë e zhvilluar në “Cosmos Arena”të qytetit të Samaras u luajt me një ritëm të lartë, me raste në të dyja portat, por përfaqësuesja ballkanase iu fal magjisë së Kolarov, për të gjetur një gol me vlerë trepikëshi.

Në të paktën dy raste të tjera sulmuesi Mitrovic ishte shumë pranë golit për Serbinë, por nuk u tregua i saktë sa duhet në finalizim. Në kohën shtesë nuk munguan momentet e tensionit, me rezultatin që mbeti i pandryshuar, duke sanksionuar fitoren e Serbisë.