Përfaqësuesja shqiptare e futbollit kthehet sonte në orën 20:45 në fushën e lojës për të nisur ciklin e fundit të ndeshjeve të kualifikuesve të "Euro 2020", një aktiviteti ku tashmë nuk mund të marrë pjesë pasi është matematikisht jashtë garës.

Por për kuqezinjtë mbeten ende objektiva të tjerë të rëndësishëm, duke filluar nga vendi i tretë në grup që nevojitet për imazhin, te një sërë rekordesh që mund të thyhen.

Shqipëria shkoi në "Euro 2016" duke siguruar 14 pikë, por sot, me fitoren ndaj Andorrës në Elbasan, kuqezinjtë mund të arrijnë të thyejnë këtë kuotë rekord, pasi janë aktualisht në kuotën e 12 pikëve.

Në rast fitoreje, kjo e sotmja do të shkruante emrin në librin e rekordeve të kombëtares kuqezi, pasi asnjëherë më parë ekipi nuk ka fituar 5 ndeshje në një eliminatore, as atëherë kur luante në grup me 7 skuadra si në ato të "Botërorit 2006", apo "Euro 2008".

Kuqezinjtë po ashtu nuk kanë fituar asnjëherë pikët e plota përballë 2 rivaleve në grup brenda të njëjtit edicion, duke gabuar gjithmonë një nga ndeshjet ndaje ekipeve që pozicionoheshin në vendet më të ulët anë klasifikimin e grupit.

Ndërkohë, rekordi i golave të shënuar në një edicion është thyer që në Moldavi, pasi si asnjëherë më parë, kuqezinjtë kanë arritur shifrën e 14 golave të shënuar. Dueli ndaj Andorrës është një mundësi e mirë për të rritur këtë numër e për të caktuar një objektiv më të lartë për edicionet në vijim.