Cristiano Ronaldo nuk arriti të shënojë gol në debutimin e tij në Serinë A italiane me Juventusin, por arriti të lërë shenjën e tij pikërisht te portieri i Chievos, Sorrentino.

Në minutat e fundit të ndeshjes, pas një topi në zonë, portugezi u përplas dhe goditi në fytyrë portierin e skuadrës veroneze, që u detyrua të lërë fushën e lojës më pas dhe të transportohet drejt spitalit të qytetit.

Nga ekzaminimet e detajuara, rezulton se Sorrentino ka pësuar probleme me kockën e hundës dhe në qafë, ndërsa pritet që të dalë nga spitali pasditen e sotme, për të ndjekur terapinë nga shtëpia.

Në atë aksion, Mario Mandzukiç arriti të shënojë gol, por arbitri e anuloi me të drejtë, pasi Ronaldo kishte shkaktuar faull ndaj portierit, në zonën e këtij të fundit dhe i kishte hequr mundësinë Sorrentinos, të tentonte pritjen.

Gjithsesi gjesti që bëri xhiron e botës, ishte ai i Chiellinit dhe Dybalës, që ndonëse Sorrentino ishte thuajse pa ndjenja në tokë, vijonin të festonin golin që më pas u anulua nga arbitri i takimit.

Pikërisht për këtë arsye, ylli argjentinas i Juventusit është kritikuar edhe në rrjetet sociale, ku ka reaguar dhe ka kërkuar ndjesë, duke pranuar se nuk e kishte interpretuar si duhet atë moment.