Teuta “ëndërron” titullin kampion. Edhe pse ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, diferenca prej 4 pikësh nga Partizani i jep të drejtën që të tentojë edhe kreun.Vuajtjet e së shkuarës duket se janë hedhur pas krahëve dhe tashmë që është ndërtuar një skuadër me identitet tërësisht të ri, të gjithë besojnë se mund të shkojnë larg. Revolucioni i verës preku jo vetëm stafin dhe organikën, por edhe drejtuesit.Tashmë, në krah të presidentit Edmond Hasanbelliu është edhe Ardian Bardhi. Sponsori i durrsakëve, flet për objektivat dhe zbulon premiot e dhëna deri më tani.

A do të ketë shpërblim për ekipin në këtë fundvit?

Ne i kemi qëndruar pranë skuadrës gjithmonë. Dua të zbuloj se një pikë e Teutës është shpërblyer me 1 milion lekë të vjetër, pra, një fitore përkthehet në tre milionë. Sigurisht që do ketë tjetër “bonos” për këtë fundvit. Jemi i vetmi klub që i kemi qëndruar pranë ekipit në çdo takim me premio dhe do vazhdojmë të qëndrojmë pranë skuadrës duke e mbështetur.

Për të pasur synime madhore kërkohet edhe një stol cilësor. Me merkaton që është në prag, cili është plani i Teutës?

Kemi një grup të mirë dhe me shumë cilësi, duke nisur nga porta e deri në sulm. Ashtu siç e thatë ju, tani pretendimet e rritura e bëjmë të domosdoshme edhe ndërhyrjen në merkato. E kemi menduar diçka të tillë. Ne prej kohësh po studiojmë afrimin e një sulmuesi dhe ky operacion me shumë mundësi do të finalizohet në janar.

Bëhet fjalë për sulmues në kampionatin shqiptar apo të huaj?  Mund të na thoni diçka më shumë?

Jo, nuk është këtu në kampionatin tonë. Bëhet fjalë për një sulmues nga Uruguai. Është 25-vjeç dhe luan në kampionatin uruguaian. Është një lojtar potent dhe me shumë cilësi, ne kemi kohë që e ndjekim. Mos më pyesni për emrin, pasi është “top sekret” dhe mund të them që do jetë një përforcim i rëndësishëm dhe do jetë një “bonus” i madh për ne.