Java e tretë e Kategorisë Superiore do të luhet në harkun e dy ditëve, ndërsa janë zyrtarizuar edhe oraret e ndeshjeve. Të shtunën duelet do të nisin me dy sfida në orën 14:00, me Luftëtarin që do të presë në shtëpi Vllazninë, ndërsa paralelisht do të përballen edhe Lushnja me Kamzën, dy skuadrat e rikthyera në elitë gjatë këtij sezoni.

Më parë ishte parashikuar që këto ndeshje të luheshin në orën 16:00, por ndryshimi i orarit është ndikuar nga fakti që dita është shkurtuar dhe stadiumet ku do të luhet nuk kanë ndriçim.

Të shtunën në orën 19:00 në Korçë do të zhvillohet edhe supersfida e kësaj jave, ndërmjet dy prej skuadrave pretendente, Skënderbeut dhe Partizanit. Përballje e cila pritet të jetë spektakolare në fushë dhe në tribuna, e që nxit interes në të gjithë ambientin.

Ndeshjet e javës së tretë të kampionatit do të vijojnë të dielën. Në orën 14:00 Kukësi do të presë në “Zeqir Ymeri” Laçin, një kundërshtar që i ka krijuar gjithmonë probleme ekipeve të ashtuquajtura të mëdha. Ndërkohë, sfida e fundit është ajo ndërmjet Teutës dhe Flamurtarit. Skuadra surprizuese e ndërtuar nga Magani do të përballet me vlonjatët me pretendime në këtë sezon, në Durrës prej orës 17:00. 

Kategoria Superiore    Java III

E shtunë

14:00         Luftëtari-Vllaznia

14:00         Lushnja-Kamza

19:00         Skënderbeu-Partizani 

E diel

14:00         Kukësi-Laçi

17:00         Teuta-Flamurtari