“Ndër tri skuadrat më të mira, që luftojnë për titull, ne jemi më të penalizuarit në drejtim të grupit të lojtarëve dhe kohës”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij drejtori sportive i Lacios, Igli Tare, pas humbjes që skuadra kryeqytetase pësoi ndaj Leçes në transfertë, duke i thënë “lamtumirë”, luftës për titullin kampion. Një disfatë shokuese e të kaltërve që shokoi mbarë opinionin sportiv.

Pavarësisht se diferenca me kryesuesit e Juventusit është 7 pikë, Tare bën thirrje se gara për titull nuk ka mbaruar dhe kryeqytetasit nuk janë dorëzuar. Ai gjithashtu nuk nguron të rreshtojë edhe arsyet që sollën dështimin e Lacios javët e fundit, duke u shprehur:

“Kjo është ndeshja e katërt, nga pesë, që luajmë çdo tri ditë. Kjo do të thotë shumë, edhe nëse nuk është një justifikim. Ne e sqaruam edhe dje, ky grup beson akoma te titulli. Nuk mendoj se duhet të heqim dorë nga kampionati. Ky grup meriton respekt, ka luftuar dhe po lufton për diçka shumë të rëndësishme. Për sa kohë që ka shpresë, ne do të besojmë”.