Juventusi pësoi dje në mbrëmje disfatën e parë sezonale, teksa u mposht në “Olimpico” të Romës me rezultatin 3-1 nga Lacio. Bardhezinjtë e nisën mirë teksa kaluan në avantazh të parët me Ronaldon por u barazuan në fund të pjesës së parë nga një gol me kokë i Luiz Felipe.

Ndërsa, fraksioni i dytë i ndeshjes ishte për t’u harruar. Kampionët e Italisë nuk ia dolën të krijonin aksione të rrezikshme, ndërsa tensioni në radhët e bardhezinjve arriti kulmin me kartonin e kuq të marrë nga Kuadrado.

Por, kolumbiani nuk i mbajti nervat as ndaj shokut dhe kapitenit të skuadrës, Leonardo Bonuçit. Ky i fundit u mundua ta qetësonte kolumbianin pasi ishte nervoz por Kuadrado reagoi keq dhe u desh ndërhyrja e Pjaniç për të mos degraduar më shumë. Pas këtij momenti, Juventusi në inferioritet numerik pësoi edhe dy herë të tjera duke dalë kokulur nga përballja me Lacion.