Zinedin Zidan merr në mbrojtje Garet Bejlin dhe thotë se të gjithë janë të mërzitur për faktin që dëmtohet shpesh. Numri një i Realit ka mohuar zërat për një kalim të mundshëm te Franca dhe thotë se në Spanjë është shumë i lumtur. 

RECETA – “Duhet të luajmë me shpirt si skuadër. Jemi në një moment të mirë dhe duhet të vazhdojmë me këtë që po bëjmë. Asgjë më shumë. E dimë që do të jetë e vështirë, sepse çdo 3 ditë kemi ndeshje. Ne duhet të tregojmë veten sa herë zbresim në fushën e lojës”.

“TIKI-TAKA” – “Të gjitha skuadrat zbresin në fushë për të fituar, pastaj secili zgjedh mënyrën e tij për ta bërë këtë gjë. Ne kemi idenë tonë dhe unë nuk mund të flas për 1 mijë pasimet e Barcelonës dhe faktit që shënoi vetëm një gol. Çdo ndeshje është e ndryshme nga tjetra”.

BEJL – “Më vjen keq që u dëmtua sërish. Pësoi një dëmtim në kavilje dhe nuk mund të jetë gati. Është lojtari i pari që nuk është i kënaqur. I pëlqen të jetë me ne, të stërvitet dhe të luajë. Shpresoj që të jetë me ne të hënën. Më shqetëson shumë një lojtar që është i dëmtuar. Ata janë të parët që vuajnë dhe mua si trajner nuk më pëlqen. Më mirë të kem probleme për të zgjedhur lojtarët sesa të kem dëmtime”.

KASEMIRO – “Golat që shënoi në javën e fundit ishin rastësi, por nuk më surprizon fakti që shkon në zonë. Është një lojtar që mund të na japë shumë, pastaj i rëndësishëm është po aq sa të tjerët. Ai e tregon këtë gjë në fushë”.

BRAHIM DHE MARIANO – “Secili ka situatën e tij. Ata duhet të stërviten mirë dhe unë duhet të zgjedh formacionin e duhur. Ata janë pjesë e skuadrës dhe unë do të mbështetem te ta, por kur të kem mundësi”.

FRANCA – “Nuk e ëndërroj aspak, sepse unë jam te Reali i Madridit dhe shumë i lumtur dhe ndihem si në përrallë. Këtu ka shumë punë, shumë ndeshje. Po fokusohem vetëm te ndeshja, asgjë tjetër”.

HAZARD – “Nuk e di nëse mund të rikthehet për ndeshjen me Atletikon. Sapo ka nisur të stërvitet me topin dhe ka treguar shenja të mira. Të hënën do të ketë më shumë ngarkesë me topin, por i veçuar. Shpresojmë që të rikthehet sa më shpejt”.