Tefik Osmanit i hiqet shiriti i kapitenit, duke i hapur rrugën kalimit të tij te Tirana menjëherë pas ndeshjeve të Europës. Në prag të nisjes zyrtare të sezonit të ri, Teuta ka bërë edhe “gradimin” e kapitenit.Renato Arapi do të ketë në krah shiritin e kapitenit për sezonin e ri dhe rolin e liderit në fushën e lojës. Diçka e tillë përflitej prej ditësh dhe duket që ndaj Ventspilsit, do të konkretizohet ky vendim i klubit të Teutës.

Shiritin një vit më parë e ka mbajtur Tefik Osmani dhe vendimi për t’ia hequr atë duket si një hap nga klubi që paralajmëron lëvizje pas Kupave të Europës.

Osmani është lakuar si një nga emrat që mund të ndërrojë edhe skuadër në përfundim të Kupave të Europës dhe konfirmimi për një divorc të mundshëm mund të nisë me këtë lëvizje të klubit durrsak. Osmani mësohet se ka firmosur një parakontratë me Tiranën dhe ai në fund të sfidave evropiane do të luajë me bardheblutë sezonin e ri futbollistik.

Lojtari ka luajtur dy sezone te barddheblutë gjatë viteve 2009-2011, pas aventurave me Elbasanin, Partizanin, Teutën, Vllazninë e Skënderbeun në kampionatin shqiptar. Mbrojtësi në të gjitha skuadrat ka qenë titullar i padiskutueshëm në fushën e lojës, duke u aktivizuar shumicën e ndeshjeve, siç ka bërë edhe sezonin e fundit në Kategorinë Superiore me Teutën.