Pas humbjes në transfertë ndaj Partizanit, ekipi ka vijuar me seancat stërvitore. Si pasojë e pauzës së Superiores, përgatitjet rinisën ditën e mërkurë.

Ashtu siç edhe trajneri Bledi Shkëmbi kishte njoftuar, dje lojtarët nisën përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Kastriotit në shtëpi, takim i vlefshëm për javën e 25-të të Kategorisë Superiore.

Stafi teknik punoi me dy grupe ku lojtarët të cilët luajtën titullarë zhvilluan një seancë rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër e grupit zhvilloi një seancë me intensitet të plotë.

Me ekipin nuk janë stërvitur dje Sherif Kallaku, Roni Gashi dhe Lorenco Vila, të cilët vijojnë angazhimet me ekipet kombëtare, ndërsa pjesa tjetër e grupit është stërvitur normalisht dhe grupi është në gjendje optimale.

Në Durrës janë të bindur se ekipi do të kthehet të japë më të mirën në fushë për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Me qetësinë që karakterizon klubin durrsak dhe duke mbështetur njëri-tjetrin, ata mendojnë që do e kalojnë edhe këtë moment delikat.

Gjatë përgatitjeve 10-ditore, ekipi i Teutës mund të zhvillojë dhe një test miqësor. Kjo ndeshje do t’i shërbejë stafit teknik për të parë gjendjen e ekipit në prag të takimit të radhës me Kastriotin.