Tifozët mund të të krijojnë shumë probleme, mbi të gjitha nëse klubi që mbështesin quhet Inter: mbushin në çdo ndeshje “San Siro”-n, por skuadra zikaltër nuk po u përgjigjet (4 pikë në 4 ndeshjet e para të Serisë A) në fushë.

Pas humbjes ndaj Parmës (0-1 në “Meazza”; e dyta sezonale) fansat interistë janë “tërbuar” në rrjetet sociale. Në “shënjestër”? Mbi të gjithë (përtej arbitrit) është trajneri Luçiano Spaleti, fajtor, sipas tyre, i të mos qenit në lartësi të një skuadre të tillë: po bën të luajë keq Interin që, me përpikëri, nuk fiton.

“Nuk fitojmë as sikur të përmbyset bota” apo “Po na ecin të gjitha keq”, ishin disa prej komenteve. Por, më i shpërndari ka qenë “Kujdes, përndryshe të marr vendin – i bashkangjitur me një foto të Antonio Kontes e Spaletit: aktualisht pa punë, pas shkarkimit nga Çelsi, ish-trajneri i Juventusit, është ëndrra e tifozëve interistë.