Kapitenët e skuadrave të Ligue 1 po shpalosin vizionin e tyre në "France Football". I ftuari i tretë i FF, pas Vitorino Hilton (Montpellier) dhe Angthony Briançon (Nemes), është mbrojtësi qendror i Strasburgut, Stefan Mitrovic. Ai ka pasur një të kaluar të dhimbshme (bombardimet në Serbi) dhe ka luajtur një ndeshje ultra elektrizuese me kombëtaren e tij kundër Shqipërisë, gjatë së cilës rrëmbeu flamurin shqiptar. Për këtë rast, Mitrovic ka nënvizuar:

"Gjithkush më flet për këtë… I kam respektuar të gjithë. Nuk ishte më futboll, kur u ngrit droni me flamurin shqiptar, por politikë. Gjithçka që dëshiroja ishte të vazhdonte ndeshja. Unë nuk mendova për ndonjë gjë tjetër në atë moment, kur kapa flamurin dhe e ula përtokë. Më pas, të gjithë ishin kundër meje, ndërkohë që nuk kishte asgjë tjetër në gjestin tim, aq më keq për të ndërprerë ndeshjen. Nëse kjo do të ndodhte përsëri, do të bëja të njëjtën gjë".