Teuta vijon nga puna. Me një seancë të zhvilluar pasdite, ka startuar zyrtarisht edhe java anti-Kukësi. Ekipi do të përgatitet për duelin e të dielës që durrsakët e zhvillojnë kundër Kukësit në transfertë.Por durrsakët vijnë në këtë takim në një situatë që mund të ndikojë shumë në javën pasardhëse, pasi janë tetë lojtarë që rrezikojnë të mos luajnë ndaj Luftëtarit, nëse marrin karton të verdhë ndaj verilindorëve.

Futbollistët e Teutës që vijnë me tre kartonë të verdhë në sfidën e së dielës janë: Tomislav Bushiç, Sherif Kallaku, Florent Avdyli, Fabjan Beqja, Gerhard Progni, Isli Hidi, Tefik Osmani, Boubakar Faje Traore. Ndaj Luftëtarit do të luhet në shtëpi, por pritet që lojtarët e mësipërm të mos rezervojnë asgjë ndaj Kukësit, pasi bileta për në Europë kalon pikërisht nga ky duel i fundjavës.

Trajneri Bledi Shkëmbi gjatë përgatitjes së djeshme kishte programuar një seancë me ritëm të lartë, me synim që ekipi të jetë gati në çdo aspekt në duelin me Kukësin. Para seancës së djeshme, trajneri Shkëmbi pati edhe një bashkëbisedim me lojtarët. “Jam optimist, por as nuk dua ta dramatizoj situatën.Gjithsesi, të jemi me këmbë në tokë dhe të fitojmë me Kukësin. Kjo është garancia jonë për të arritur objektivin Europë. Kemi ardhur deri këtu me meritë dhe duhet të luftojmë deri në fund, duhet të shpëtojmë sezonin dhe të shkojmë në Europë”, u ka thënë ndër të tjera Shkëmbi lojtarëve.

Trajneri pret me ngulm që skuadra të gjejë rezultatet e munguara, por pse jo të rikthehet edhe te loja e bukur që dhuroi në dy fazat e para. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që kthesa e madhe të mos vonojë.Stërvitja e djeshme nisi me vrapime të lehta, pastaj futbollistët të drejtuar nga stafi teknik i vijuan përgatitjet në anën fizike dhe në fund patën lojëra me top. Në stërvitje ishin prezent të gjithë futbollistët, ku skuadrës i është bashkëngjitur edhe Erlis Frashëri, i cili gjatë javës së shkuar ka punuar veçmas, por pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit për Kukësin.

Tomislav Bushiç vijon riaftësimin nën kujdesin e stafit mjekësor. Faza rikuperuese e kroatit po vijon në mënyrë të rregullt dhe shumë shpejt Bushiç do t’i bashkëngjitet ekipit për pjesën e mbetur të kampionatit.