Mospjesëmarrja e Skënderbeut në Champions Ligë edicionin e ardhshëm, e ka kthyer klubin bardhekuq në një supermarket për klubet e Superiores. Me trajnerin Blendi Shkëmbi në krye, bregdetarët synojnë të përforcohen me disa futbollistë të Skënderbeut. Marko Radas dhe Tefik Osmani kanë tërhequr interesin e Teutës dhe gjatë sezonit të ardhshëm mund të luajnë me këtë fanellë. Shkëmbi i njeh mjaft mirë, pasi ka luajtur me të dy gjatë dominimit të bardhekuqve në futbollin shqiptar, ndërsa ata garantojnë siguri në prapavijë falë eksperiencës së madhe që kanë, por edhe klasit të tyre.

Si Radas edhe Osmani, që kanë fituar gjithçka me Skënderbeun, do të ishin dy afrime të zgjuara për Teutën, që nuk ka në gjirin e saj lojtarë me eksperiencë. Mbrojtësi korçar e njeh mjaft mirë ambientin, pasi ka qenë pjesë e Teutës në të kaluarën dhe e shikon si një opsion mjaft të mirë rikthimin në “Niko Dovana”.

Për t’u realizuar ky operacion do të jetë vendimtar trajneri Shkëmbi, pasi i njeh mirë mbrojtësit dhe ka pasur relata shumë të mira gjatë kohës që ka luajtur te Skënderbeu, ku edhe kanë fituar trofe së bashku. Madje edhe nga ana e lojtarëve, një tjetër bashkëpunim me ish-kapitenin këtë herë në pozicionin e trajnerit do të ishte i pranueshëm.

Gjithsesi, më parë do të shihet se si do të shkojë situata te Skënderbeu, pasi në deklaratat e tyre të mëparshme dy lojtarët janë shprehur se do të qëndrojnë me Skënderbeun edhe në rast se skuadra nuk do të luajë në Champions.Prapavija është një nga repartet, në të cilat trajneri Shkëmbi po kërkon përforcime, kjo edhe për shkak të problemeve që ka pasur gjatë sezonit të shkuar.

Dhe me emra si Osmani apo edhe Radas, mbrojtja mund të konsiderohet e blinduar, por edhe grupi i lojtarëve do të kishte më shumë harmoni brenda tij, pasi bëhet fjalë për dy futbollistë me mjaft eksperiencë që mbajnë barrën e skuadrës si brenda ashtu edhe jashtë fushe.