Klubi i Teutës e ka cilësuar të turpshëm gjykimin e kryesit Juxhin Xhaja dhe asistentëve të tij në ndeshjen ndaj Kukësit. Nën akuzë ishte sidomos penalltia e dytë e akorduar nga xhaketa e zezë.

Pasi aksioni fillimisht niste me një pozicion jashtë loje. Në atë aksion, përveç penalltisë, Rustem Hoxha u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë, ndaj ishte një goditje e dyfishtë për durrsakët që pësuan kësisoj golin e 2-0.

“Kemi të bëjmë me një penallti qesharake të dhënë nga arbitri Juxhin Xhaja ku duket qartë pozicioni i sulmuesit kundërshtar. Veç penalltisë, arbitri Xhaja ndëshkon edhe mbrojtësin Hoxha me kartonin e dytë të verdhë. Çfarë të themi? Janë gjëra që duken. TURP!”, shkruan në faqen e vet në Facebook klubi durrsak rreth këtij episodi të ndeshjes.