Nëse humbja me Tiranën u përtyp, barazimi me Luftëtarin nuk është kapërdirë ende në Durrës. Vetëm fitorja me Vllazninë do të sillte qetësinë. Dhe ndoshta ka qenë ky motivi që këto ditë janë shoqëruar me analizë tek Teuta. Edi Martini dhe stafi i tij kanë mbledhur skuadrën për afro 25 minuta. Me ndihmën e pamjeve filmike, ata kanë evidentuar gabimet e ndeshjes me gjirokastritët. Duhet thënë që nuk kanë qenë të pakta.

Kritikat nuk kanë munguar për çdo repart, por fokusi u vendos te sulmi dhe mungesa e golave. Vetëm duke shënuar mund të sigurohen pikët dhe rikuperohet diçka në renditje. Pas 21 javësh, “djemtë e detit” kanë humbur ndjeshëm terren. Vendi i 6-të nuk u shkon aspak për shtat objektivave. Titulli është një “mirazh” me 9 pikë më pak se Kukësi kryesues, por edhe nga zona “Euro” janë larguar. Gara është ashpërsuar, me Bylisin dhe Laçin që janë në të njëjtën kuotë pikësh dhe për të mos përmendur Partizanin që u katapultoi i 3-ti. Gabimet tashmë janë të ndaluara, ndaj nga përballja me shkodranët kërkohet veçse kthesa dhe rrugë tjetër nuk ka.

Me mbylljen e videoanalizës dhe vendosjes së piketave për vazhdimësinë, lojtarët nisën stërvitjen në orën 15:30 në “Olimpic Park”. Për afro 90 minuta ngarkesat nuk munguan, ndonëse grupi u nda në dysh. Ata që luajtën me Luftëtarin punuan për të rigjeneruar forcat. Veç vrapimeve, ata kryen edhe terapi me ujë të ftohtë. Pjesa tjetër, veç ushtrimeve të shumta me dhe pa top, zhvilloi edhe një lojë të lirë për t’u perfeksionuar në hapësira të ngushta. Trajneri Edi Martini së bashku me stafin mjekësor kanë testuar gjendjen fizike të secilit futbollist.

Mungesa e konfirmuar vazhdon të jetë ajo e Renato Arapit, që e ka të pamundur të rikthehet edhe këtë javë. Deri në ndeshjen me Vllazninë, do të vazhdohet me një seancë në ditë. Brenda kësaj kohe pritet që skuadra të kapë gjendjen optimale. Para se të mendojnë për javën e 22-të, fillimisht do të sigurojnë kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Fitorja në Shijak përballë Erzenit e bën kualifikimin thuajse një formalitet.