Drejtuesit e Teutës janë të fokusuar tërësisht te merkato. Trajneri Bledi Shkëmbi po shqyrton disa alternativa si për mbrojtjen, ashtu edhe për sulmin. Mësohet se përveç një lojtari brazilian, bregdetarët po shohin me kujdes edhe një mbrojtës maqedonas, i cili ka një karrierë të pasur.

Edhe pse emri mbahet sekret, gazeta mëson se bëhet fjalë për një 29-vjeçar që vjen pas një sezoni mjaft produktiv në Ligën e Parë maqedonase, duke qenë titullar te Pobeda. Trajneri Shkëmbi po shikon me kujdes videot e maqedonasit, teksa ai mund të luajë në qendër të mbrojtjes, por edhe përpara saj në rolin e mesfushorit shkatërrues.

“Djemtë e Detit” kërkojnë një mbrojtës të fortë dhe deri tani kanë parë disa alternativa, por akoma nuk kanë vendosur.Maqedonasi është në balotazh me një brazilian, me drejtuesit që nuk e kanë ndarë mendjen se kë do të zgjedhin. Gjithçka do të varet nga Shkëmbi, i cili kërkon të ndërtojë një skuadër kompetitive.

Korçari ka dorë të lirë dhe do të afrojë te Teuta vetëm lojtarë, të cilët janë të aftë të bëjnë diferencën për të arritur objektivat që ai i ka vendosur vetes, por edhe ato që ka folur me drejtuesit.

Edhe pse akoma nuk është bërë zyrtarisht prezantimi i tij dhe nuk janë vendosur objektivat, të paktën për publikun, sigurisht që ambicia e ishmesfushorit të Skënderbeut është të synojë pjesëmarrjen në kompeticionet europiane me Teutën. Korçarit po i besohet një projekt ambicioz dhe ai kërkon të shfaqë më të mirën. Në rast të kundërt edhe drejtuesit nuk do të shpenzonin kaq shumë.