Një ndeshje futbolli luhet deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit. Në këtë sprint final të sezonit Teuta e Bledi Shkëmbit po tregohet një skuadër “gjermane”, që beson deri në fund për të arritur të pamundurën.

Këtë sezon 3 nga 10 fitoret e arritura, “djemtë e detit” i kanë me përmbysje rezultati, ndaj Tiranës në javën e 11-të më dy nëntor  në Shijak, një javë më pas ndaj Kamzës në transfertë dhe më 15 shkurt ndaj Kukësit.

Edhe në 7 barazimet me gola 3 i ka pasi ka qënë në disavantazh, ashtu si në mesjavë ndaj Kukësit në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Të tilla paraqitje janë tregues i forcës psikologjike të skuadrës, që e rindërtuar këtë vit me shumë ndryshime në emra, duket se gjënë e parë që pa përqafuar është mentaliteti i injektuar nga trajneri.

Bledi Shkëmbi i cili vjen nga një periudhë e lavdishme si futbollist me fanellën e Skënderbeut kërkon nga skuadra jo vetëm të luajnë futboll argëtues por të besojnë deri në fund tek rezultati, madje në çfarëdolloj situate. Barazimi i të martës nuk i afron me gjysmëfinalet e Kupës, por është tregues i forcës dhe mentalitetit që ky grup ka.

Për ta asgjë nuk është e pamundur dhe pavarësisht se në sfidën e kthimit u nevojitet fitorja askush nuk mund të thotë me siguri që kjo skuadër nuk mund t’ia dalë. Ashtu siç reaguan edhe pse ishin në disavantazh të dy golave ndaj Kukësit 5-minuta përpara fundit, ashtu mund të shkaktojnë një tjetër paraqitje mbresëlënëse.

Golat e minutave të fundit nuk janë një rastësi pasi diçka e tillë ka ndodhur shpesh me Teutën e këtij edicioni, që forcën e ka tek grupi dhe mentaliteti i injektuar.